6 Dhjetor, 2017 - 2:36 pm
Trupa e Baletit të Kosovës së shpejti do të sjellë premierën e fundit për këtë vit të titulluar ”New Born”, me koreografi të Jochen Roller, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Kjo shfaqje e cila do të zgjasë rreth një orë, do të vije përmes një loje të pasur kolektive nga dymbëdhjetë balerinë, ndërsa bazën e ka në baletin klasik mirëpo që vjen më e modernizuar për publikun, për shkak se do të përcillet me muzikë moderne në sfond.
“Është një shfaqje eksperimentale, e cila do të vije me kombinime shumë të mirë dhe moderne, edhe pse kjo shfaqje është mjaft e lodhshme bazuar në punën e balerinëve, të cilët janë gjatë gjithë kohës në veprim”, tha drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj për KultPlus.
Përgatitjet për këtë shfaqje kanë filluar për rreth një muaj kurse diskutimet për këtë projekt kanë filluar qysh në fillim të këtij viti.
“Kemi diskutuar para një viti me koreografin që ta sjellim këtë shfaqje në Kosovë gjatë muajit dhjetor. Jemi dakorduar që shpenzimet e koreografit dhe bashkëpunëtorëve të tij t’i mbulojnë Goethe Instituti, që i financon artistët e tyre në botë”, tregoi Brahimaj për KultPlus. Po ashtu kjo shfaqje në muajin prill do të udhëtoj për në Gjermani, ku Trupa e Baletit të Kosovës do ketë katër prezantime në Berlin dhe tri në qytetin e Hamburgut.
“Fillimi i bisedave tona është përqendruar që shfaqja do të udhëtoj edhe jashtë Kosovës , duke e parë edhe interesin tonë që shfaqja përveç për publikun e Kosovës, të prezantohet edhe në vende të tjera”, ka treguar drejtori Ahmet Brahimaj. Premiera e kësaj shfaqje vjen më 21 dhjetor. Shfaqja “New Born” shënon premierën e gjashtë për këtë vit nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës./KultPlus.com