30 Nëntor, 2022 - 6:30 pm
Fondi i Teatrit për të Rinj, iniciativë e Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ka mbërritur në fazën përfundimtare.
14 shfaqjet teatrore që u realizuan nga ky fond do të finalizohen me pjesëmarrjen në Festivalin Teatror “Hapat” që do të zhvillohet nga data 30 nëntor deri më 13 dhjetor.
Shfaqjet do të luhen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatrit Metropol dhe Teatrit privat “Zonja e Bujtinës”.
Festivali nis sonte me “Koncertin”, me regji nga Marsel Greva, në TKE “Kujtim Spahivogli” dhe çdo mbrëmje deri në datën 13 dhjetor, do të ketë nga një shfaqje teatrore, në njërin nga lokacionet e caktuara.
Fondi i Teatrit për të Rinj, është një mbështetje e Ministrisë së Kulturës për të gjithë talentet e reja të arteve skenike, deri në 35 vjeç.
Përmes këtij fondi prej 10 milionë lekësh, në vitin e dedikuar të Tiranës si Kryeqytet i Rinisë, u synua nxitja dhe zgjerimi i hartës kulturore, duke e shtrirë gjeografikisht këtë fond e duke aktivizuar krijuesit dhe interpretuesit e rinj dhe adresuar ata të punojnë dhe sigurojnë mbarëvajtjen jo vetëm në infrastrukturën e teatrit në Tiranë, por edhe në Korçë, Shkodër, Vlorë, Durrës, Fieri, Elbasani edhe Pukë./atsh/ KultPlus.com