Nis partneriteti mes ‘Artpolis’ dhe ‘Prizrenfest’, sonte në Burgun e Qytetit shfaqet “Ora e Vdekjes”

1 Gusht, 2022 - 5:45 pm

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis ka nisur bashkëpunimin dhe ndërtimin e partneritetit me Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur – Prizrenfest.

‘Prizrenfest’, që mbahet në qytetin e Prizrenit, sivjet organizon edicionin e tij të parë, nga 31 korrik deri më 4 gusht, dhe ‘Artpolis’ është e lumtur të kontribuojë me tri aktivitete në një festival që premton shumë dhe është një dritare më shumë në zhvillimin e artit skenik dhe aktivizmit artistik.

Artpolis prezanton në Prizrenfest dy shfaqje teatrore dhe një konferencë.

Shfaqja teatrore “Ora e Vdekjes”, me regji të Ilir Bokshit, do të prezantohet sonte para publikut në Prizren nga ora 21:00.

“Ora e Vdekjes”, bashkëproduksion i Artpolis dhe Bokshi Theater Company, prezantohet në Burgun e Qytetit në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur – Prizrenfest.

Kjo shfaqje trajton fatin e të burgosurve politikë në Kosovë dhe Shqipëri. Shfaqja përfshin edhe tregime nga të mbijetuarit (nga masakra e burgut të Dubravës) si dhe tregime nga të burgosurit nëpër burgjet e tjera të luftës së fundit në Kosovë dhe kohës së komunizmit në Shqipëri. Inskenimi i shfaqjes në hapësirat e burgut, jo vetëm që do ta bëjë publikun të përjetojë shfaqjen dhe tregimet, por gjithashtu do ta bëjë të përjetojë edhe hapësirat e burgut.

“Ora e Vdekjes” ndërthur jetën, moralin, identitetin, fatet, luftën, mbijetesën dhe dashurinë, gabimin dhe pafajësinë, lirinë dhe vdekjen, të gjitha këto të gërshetuara në një koncept inovativ teatror.

Regjia: Ilir Bokshi

Autor: Ulpianë Maloku, Agnesa Mehanolli

Aktorët: Albulena Kryeziu-Bokshi, Kushtrim Sheremeti, Adrian Morina, Arben Derhemi

Kostumografe: Vesa Kraja

Skenograf: Bekim Korça

Kompozitor: Memli Kelmendi

Ndriçimi: Skender Latifi

Më 3 gusht te Kino Plato do të keni të rastin të shihni shfaqjen “Zgjimi i Pranverës” me regji të Zana Hoxhës, nga ora 21:30, bashkëproduksion i Artpolis dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në ditën e fundit të Prizrenfest, më 4 gusht, zë vend konferenca teatrore “Reprezentimi i barabartë në Teatër – Mundësitë dhe realiteti për aktoret dhe aktorët”, tek Shtëpia e Shani Efendisë nga ora 11:00.

Ky është edicioni i parë i Prizrenfest, i cili në vitin e tij të parë sjellë një program të pasur me artistë/e vendorë/e dhe ndërkombëtarë/e nga: Kosova, Shqipëria, Bosnja – Hercegovina, Turqia, Italia dhe Rumania. / KultPlus.com

Të ngjajshme