14 Nëntor, 2017 - 1:22 pm
Dje nisi edicioni i 14-të i Festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare”, në Preshevë, shkruan KultPlus.
Ky edicion i këtij festivali u hap nga Teatri i Preshevës i cili edhe zyrtarisht u përurua mbrëmë, me shfaqjen “Maratonistët” nën regjinë e regjisorit Kastriot Saqipi.
“Ditët e Komedisë Shqiptare” që nisën më 13 nëntor do të mbahen deri më 17 nëntor, ku do të shfaqen gjithsej edhe katër shfaqje të tjera, ndërsa në fund do të ndahen çmimet.
Sot më 14 nëntor, në këtë festival do të paraqitet shfaqja nga Qendra Multimedia në Prishtinë, “Peer Gynti nga Kosova” me autor Jeton Neziraj e regji të Agon Myftarit.
Më 15 nëntor do të paraqitet Teatri i Tetovës me shfaqjen “Kripë deti” me regji të Nehat Mehmetit.
Më 16 nëntor do të jetë shfaqja nga Teatri Shqiptar i Shkupit “Shfaqja që shkon mbrapsht” me regji të Agon Myftarit.
Ndërsa në natën e fundit të festivalit, më 17 nëntor do të jetë shfaqja nga Teatri “Migjeni” në Shkodër “Tartufi” me regji të Kushtrim Bekteshit.
Nga juria në përbërje të Fatmir Spahiut-aktor, Osman Ahmeti-aktor, Ben Apolloni-regjisor, do të ndahen 7 çmime për më të mirët e këtij festivali. Fotografitë: Krenar Halimi./ KultPlus.com