1 Shtator, 2019 - 9:30 pm
“Kopshti i Qershive”, një nga veprat më të njohura të Çehov-it është ngjitur në skenën e teatrit të Korçës. Një kastë e zgjedhur aktorësh dhe regjia nga Dino Mustafiç kanë sjellë një mbrëmje emocionuese në premierën e shfaqjes për të gjithë artdashësit.
Mes humorit dhe dramës, vepra sjell historinë e një aristokrateje dhe vajzës së saj, të cilat kthehen në një provincë ruse dhe duan të shesin kopshtin e qershive, ku ajo ka shumë kujtime.
Ndryshimet e shtresave bëjnë që një tregëtar ta blejë këtë kopësht me idenë për t’i prerë qershitë, ç’ka edhe trazon botën shpirtërore të tyre.
Mes emocioneve të natës së parë, artistët janë ndier të mirëpritur nga publiku korçar, ndërsa tregojnë se kjo shfaqje për ta ka qenë e veçantë.
“Kopshti i Qershive” do të vazhdojë të ngjitet në skenën e teatrit të Korçës edhe për dy mbrëmje të tjera, duke çelur kështu edhe Festivalin e Komedisë. /KultPlus.com