27 Nëntor, 2018 - 3:30 pm
Premiera e komedisë më të re «Këmbëzbathur në park», ngjitet në skenë më datat 1-2 dhjetor në arTurbina. Shkruar nga Neil Simon, me regji të Lorin Terezit vepra sjell një histori ndryshe të dashurisë në Amerikën e viteve 60-të.
Dashuria e vrrullshme dhe pasionante e çiftit të sapomartuar Kori dhe Pol vihet në pikëpyetje teksa ata duhet të përballen me problemet e përditshmërisë. Pol do të ulë Korin me këmbë në tokë, ndërsa ajo do të bindë Polin se është bukur të jesh kundra rrymës.
“Çifti blen një shtëpi të re dhe vajza ka bërë zgjedhjen e saj. Ajo ka marrë një shtëpi në katin e nëntë, por e ka marrë dhe shtrenjtë edhe jashtë komoditetit për të jetuar. Por asaj i duket interesante jeta aty. Të gjithë personazhet që vijnë, si bashkëshorti i saj, apo dhe të tjerët detyrohen që të rrinë aty vetëm për mos t’ia prishur asaj qejfin e apartamentit që ka marrë me qera.
Por përveç kësaj aty dalin dhe problematika të tjera të bashkëjetesës dhe mënyrës të të menduarit të gjërave si dhe me personazhet e tjera që janë aty, që është dhe mamaja e vajzës, ku edhe pse e bija ka dalë të jetojë vetëm ajo i ndërhyn. Po aty është dhe një komshi, që bëhet pjesë e ngjarjeve, por është një komedi”, shprehet regjisori Lorin Terezi. Kjo vepër rikthen në teatër pas kaq kohësh aktoren dhe regjisoren Ermira Gjata./ KultPlus.com