16 Shkurt, 2018 - 11:29 am
“Njeriu që mungonte”, me regji të Isa Qosës e me tekst të Zymber Kelmendit, mbrëmë erdhi premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
“Njeriu që mungonte”, me regji të Isa Qosës e me tekst të Zymber Kelmendit, mbrëmë erdhi premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje brenda skenës solli fatin e personazhit të Agronit, i cili për disa vite ka qenë i zhdukur i luftës. Por në jetën e njerëzve të tij, e të vendit ai figuron si dëshmor lufte, ndërsa emri i tij qëndron i gdhendur mbi varrin ku prehen eshtrat e dikujt tjetër. I kthyer në familjen e tij pas katër viteve të luftës, kupton rrjedhën e jetës që çdonjëri kishte krijuar pa praninë e tij, por mbi emrin e tij. Kthimi i Agronit në shtëpi, e bën atë dëshmitar të projekteve e shtatores me emrin e tij. Shkolla që ka marr po ashtu emrin e këtij dëshmori, që dikur ishte arsimtar, duket se më nuk ka vend për kthimin e tij si individ. Bisedat për varrimin e tij, e për realitetin e tanishëm, në këtë shfaqje vijnë në dritën e qiriut. Shtëpia e tij, tashmë do të bëhet ankth i izolimit edhe pas disa vitesh qëndrimi në burg. Trokitjet në derë janë një ankth i ri, që shtohet çdo ditë e më shumë. Kjo gjendje po bëhet çdo moment e më e padurueshme për Agronin sa që në fund të shfaqjes, ai vendos që përsëri t’i zhduk gjurmët e hapave të tij nga vendi ku më nuk po mund ta shihte dritën nga jashtë.
Zymber Kelmendi e ka përcjellur tërë procesin e provave, për ta parë se si tingëllon teksti në letër dhe në skenë, ndërsa tha për KultPlus se ndihet shumë i kënaqur me gjithë procesin e kësaj shfaqje.
“Arti nuk ka mundësinë që t’i ndryshoj gjërat por që të prek ndërgjegjen e secilit. Duhet të kishim një kujdes më shumë karshi kësaj, duket se ne çdo gjë po e ndërtojmë mbi të kaluarën tonë, pa pasur një koncept për të ardhmen”, u shpreh dramaturgu Kelmendi.
Për KultPlus, tha se përmes këtij teksti tenton të ngrij disa pyetje se kush jemi ne në raport me të kaluarën tonë, në raport me njerëzit që kanë dhënë shumë për këtë vend.
Ngjarjen e kësaj shfaqje në skenë e jetësuar aktorët: Teuta Krasniqi, Basri Shala, Agron Shala, Doresa Rexha dhe Gani Rrahmani.
Basri Shala, në këtë shfaqje pati mbi supet e tij rolin kryesor të shfaqjes, atë të dëshmorit të kthyer, Agronit. Ai tha për KultPlus se procesi më i mirë i gjithë shfaqjes, kanë qenë provat të cilat kanë zgjatur për rreth një muaji e gjysmë. Lidhur me rolin, ai tha se ka qenë një rol i rendë për ta luajtur, kjo bazuar edhe në natyrës e tij energjike të punës.
“Realisht, ky ka qenë rol ka qenë një rol i rëndë, sepse për dallim prej kolegëve që kanë pasur mundësi me u shpreh, ky shumicën e lojës e ka pasur të brendshme, arsyeja është e qartë, sepse është një rob lufte që pas katër viteve kthehet në shtëpi të vet dhe burgu e ka një të mirë që të rehaton”, u shpreh Shala për KultPlus.
Teuta Krasniqi, me anë të këtij roli po kthehej pas një viti e gjysmë në skenën e Teatrit. Ajo në këtë shfaqje solli gruan e dëshmorit dhe përballjen e saj të përditshme me rrethanat e jetës që të krijohen nga ky fat. Teuta për KultPlus tha se ndihet e nderuar nga puna e parë me regjisorin Qosja, ndërsa shtoi se e veçanta e kësaj shfaqje qëndron pikërisht tek teksti.
“Me regjisorin ka qenë një bashkëpunim i jashtëzakonshëm. Edhe sot në takimin e fundit para premierës e thash se nuk ka rendësi destinacioni sa ka rendësi rrugëtimi. E veçanta e krejt shfaqjes është teksti, sepse teksti është shumë i veçantë, është shumë i fuqishëm, është jashtëzakonisht i shkruar me finesë”, u shpreh aktorja Teuta Krasniqi, e cila tha se interpretimi i këtij teksti në të njëjtën kohë ka qenë përgjegjësi por edhe jo e vështirë.
Skenografe e kësaj shfaqje ishte Shqipe Kamberi, kostumografe Samka Ferri, skulptor Agron Blakçori dhe kompozitor Korab Shaqiri. Reprizat e para të kësaj shfaqje vijnë më 17 dhe 19 shkurt duke filluar nga ora 20:00./KultPlus.com