25 Qershor, 2020 - 8:59 am
Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës rikthehet pranë publikut me shfaqje teatrale, por në ambiente të hapura. Drejtoresha e Teatrit, Zamira Kita, tregon për “Shekulli”-n se si do të organizohen shfaqjet duke respektuar rregullat për mbrojtjen nga virusi dhe çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen.
Që nga nisja e pandemisë dhe deri më sot, teatrot dhe kinematë janë ndër institucionet e pakta që vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura për shkak të masave mbrojtëse kundër koronavirusit. Ende nuk është e qartë se kur do t’i rikthehen aktorët dhe publiku normalitetit, megjithatë tashmë kanë filluar të gjenden zgjidhje alternative për të vazhduar jetën artistike e kulturore.
Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës do të rikthehet pranë publikut me shfaqjet në natyrë, duke shfrytëzuar edhe ditët e bukura të verës. Drejtoresha e Teatrit të Korçës, Zamira Kita, tregon për “Shekulli”-n se shfaqja “Pas vdekjes” e Çajupit, që do të jepet së shpejti, ishte planifikuar përpara pandemisë.
“Ne e kishim veprën ‘Pas vdekjes’ të Andon Zako Çajupit në plan, që përpara pandemisë, në kuadër të 70-vjetorit të Teatrit ‘Andon Zako Çajupi’. Pasi ndodhi pandemia një pjesë e projekteve u hoqën, një pjesë e buxhetit u shkurtua për shkak edhe të mbledhjes së të ardhurave, kështu që vendosëm që premierën e kësaj shfaqje ta japim në mes të korrikut, ta shfaqim vazhdimisht gjatë verës dhe në shtator kur të festojmë 70-vjetorin e Teatrit”, tha Kita për “Shekulli”-n.
Ajo shton se shfaqja “Pas Vdekjes” vjen me regji të Hervin Çulit, i cili ka menduar një koncept regjisorial shumë të veçantë, duke ndërthurur poezinë me muzikën, për ta kthyer nga një vepër me një akt në një shfaqje teatrale të plotë. Zamira tregon se aktorët janë dhe këngëtarë shumë të mirë, si Albano Prodani, Mateus Frroku, Silvio Gosokova dhe Paula Kodra.
Shfaqja është menduar që të jepet nën rregulla strikte, duke respektuar të gjitha masat mbrojtëse nga Covid-19. Kita thotë se është menduar që “Pas vdekjes” të shfaqet në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit dhe publiku do të ulet në karrige duke ruajtur distancën.
“E gjithë shfaqja do të jepet në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit te ABC-ja. Oborri do të kthehet në skenë, aty do të vendosen prozhektorë që do të ndriçojnë dhe aktorët do të pajisen me mikrofona miza që të dëgjohen mirë. Publiku do të vendoset pak në oborr dhe mbi lulishten që është tek oborri i ABC-së dhe ne besojmë që do të kemi 70-80 persona çdo natë. Karriget do t’i vendosim larg nga njëra-tjetra dhe në mënyrë diagonale. Në teatër njerëzit nuk flasin dhe nuk bëjnë muhabet si në kafe dhe përderisa kafet janë të lejuara, nuk ka pse publiku në distancë të mos jetë në një teatër në ambient të hapur. Ndërsa për maskat nuk e di nëse publiku do të dojë ta mbajë, kjo do të jetë zgjedhje e tyre. Edhe personazhe ka pak, do të shmanget çdo afrim mes aktorëve, duke hequr puthjet, përqafimet edhe nëse janë të shkruara në tekst. Shpresoj që do t’ja dalim dhe duam ta bëjmë këtë gjë që teatri të rifillojë punën. Publiku është i etur për teatër dhe aktorët nuk mund të vazhdojnë të rrinë dhe të krijojnë nga shtëpia, nuk mund të bëjmë më teatër virtual”, tha Zamira Kita.
Ajo shton se në kalendarin e tyre artistik përfshihen Karnavalet e Korçës, të cilat do të organizohen edhe këtë vit por pak më ndryshe nga herët e tjera.
“Në 4 korrik do bëjmë Karnavalet e Korçës, por jo masive. Nuk do të ftojmë qytetarët të dalin në shesh dhe nuk do të kemi grupim. Do të kemi 10 grupe me nga 5 persona të vendosura në disa pika të zgjedhura të qytetit dhe çdo gjysmë ore do të qarkullojnë, do të ndryshohen. Do të ketë vetëm elementë të Karnavaleve për t’i kujtuar qytetit që ne jemi pjesë e kësaj feste dhe nuk do ta lëmë dhe sivjet. Ndërsa makina të hapura me 2-3 personazhe karanavalesh me muzikë ritmike do të qarkullojnë nëpër rrugicat dytësore, të cilat nuk i përfshijmë dot në këto grupimet e vogla”, tregoi drejtoresha e Teatrit të Korçës.
Kita thotë se janë planifikuar edhe 2 shfaqje të tjera, një ndër to “Shtëpia e Bernarda Albës”, por nuk dihet se si do të vazhdohet me to, duke qenë se në Korçë nuk mund të jepen shfaqje në ambient të hapur gjatë vjeshtës, sepse bën ftohtë.
“Ne po bëjmë përpjekje për të rikthyer ‘Shtëpia e Bernarda Albës’ që mund të shfaqet tek Hani i Pazarit, ku ne mbajtëm një mbrëmje poetike, dhe aty publiku mund të qëndrojë larg njëri-tjetrit. Në shtator do të kemi Koko Fest dhe unë paraprakisht po e mendoj në ambiente të hapura, pavarësisht se në shtator Teatri mund të hapet dhe të lejohet. Nëse aktorët do të punojnë jashtë do të kemi 5-6 trupa të ftuara me shfaqje të vogla me pak personazhe”, tha Kita.
Përsa i përket periudhës së pandemisë, drejtoresha e Teatrit Andon Zako Çajupi tha se nuk ishte aspak e vështirë, por nuk mund të vijohet për më gjatë në këtë formë.
“Nuk e kemi pasur të vështirë që të gjejmë zgjidhje për art, qoftë me shfaqje nga shtëpia, montazhe poetike, parodi, këngë etj. Ne artistët e Korçës por edhe gjithë artistët e Shqipërisë e reflektuam këtë gjë, por ne ishim ndoshta ndër iniciatorët e parë që e bëmë. Kemi bërë gjëra të bukura që nuk na kanë lodhur, por fakti që kemi qëndruar për një kohë të gjatë të mbyllur dhe kemi funksionuar në këtë mënyrë na ka mërzitur. Kemi kohë që kemi dalë në prova në Teatër, fillimisht me maska, tani pa maska por me distancë, sepse kemi hapësirë. Karantina nuk ishte e mërzitshme, sepse në fund të fundit kishim mundësi të reflektonim, të merreshim me familjet tona, me gjërat tona personale, por për të zgjatur më tej është e vështirë. Nuk mundemi më, ky është si të thuash një rebelim i shpirtit artistik që tenton të bëjë diçka”, tha Kita për “Shekulli”-n. / KultPlus.com