9 Qershor, 2019 - 11:33 am
Premierat e datave 11 dhe 13 qershor, të Trupës së Baletit të Kosovës, do jepen fillimisht për publikun, pastaj edhe në rastin festimeve për 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, si kërkesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Trupa e Baletit të Kosovës, tashmë është gati për performim, shkruan KultPlus.
Pas dy premierave që nga muaji shkurt, “O moj Shqipëri” do jetë premiera e tretë e trupës së baletit, nën koreografinë e Pullumb Agalliut, që ka udhëtuar nga qyteti i Baku-së, së Azerbajxhanit, ku profesori Ahmet Brahimaj, ish-drejtor i trupës së baletit, ja ka besuar shfaqjen koreografit Agalliu, në bazë të eksperiencës së jashtëzakonshme në krijimin e shfaqjeve të dedikuara për ngjarje të tilla, siç është jubileu i çlirimit.
Profesor Agalliu kësaj radhe vie me një koncept të tillë, që ndërlidh temën e koreografisë së tij me poemën e Pasho Vasës “O moj Shqypni”, dhe manifestin ideologjik të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Duke e ndarë në tri pjesë koreografinë e tij, me motive atdhetare dhe aleancës perëndimore.
“Duke marrë kompozitor të shquar të rapsodisë shqiptare dhe simfoninë IX, të Beethoven-it, që i përgjigjet hyrjes e aleancës së NATO-s në Kosovë, koreografia trepjesëshe është një poemë, diçka filozofike, që po arrin drejt qëllimit të saj”, u shpreh koreografi Pullumb Agalliu për KultPlus.
Sinan Kajtazi, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit të Kosovës, u shpreh se bashkëpunimi me Agalliun është gjithmonë i suksesshëm dhe kësaj radhe kanë arritur të finalizojnë shfaqjen në një kohë rekord.
“Duke pas parasysh që kemi realizuar edhe më herët shfaqje mjaftë të suksesshme me profesorin Pëllumb, dhe sigurisht edhe koha për realizimin e shfaqjes së premierës së re ka qenë shumë e shkurtër, mirëpo puna e madhe e trupës së baletit dhe koreografit, si bashkëpunim i dyanshëm, shfaqja është kompletuar në një kohë rekord prej 18 ditësh”, shprehet për KultPlus Sinan Kajtazi.
Kajtazi tutje shfaq brengën e tij në problemet e ndryshimit të procedurave burokratike në Ministrinë e Kulturës.
“Si institucion i Baletit të Kosovës, ne jemi institucion që prodhojmë gjatë gjithë kohës, dhe në momentin e bashkëpunimit me bashkëpunëtor të jashtëm, sigurisht që pjesa burokratike e pengon në masë të madhe punën tonë, dhe më shpresën që Ministria do të bëjë një zgjidhje adekuate për ketë çështje, do të vazhdojmë dhe nuk do të dorëzohemi para kësaj situate, ku në bashkëpunimin me bashkëpunëtor të jashtëm një problem kyç është edhe sigurimi i pagesave”, shprehet Kajtazi.
“O moj Shqipëri” ju pret më datë 11 qershor duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Duke e shfaqur kualitetin e saj, trupa e baletit, një traditë që po vazhdon, përveç kësaj premiere, më datë 17 qershor do të udhëtojnë në dy qytetet e Maqedonisë veriore, në Gostivar dhe Tetovë, të ftuar me shfaqjen “O. TAKA”, ndërsa më datë 23 qershor, trupa e baletit do të udhëtoj në Tiranë, ku shfaqja “O. TAKA” është ftuar nga çamët e Shqipërisë, në javën Çame, ku shfaqja bazohet në ngjarjen e Osman Takës. / Visar Shabani / KultPlus.com