27 Shtator, 2024 - 10:15 pm
Shkruan: Gili Hoxhaj
Zhurma e gjygymave tok me disa fjalë thumbuese janë të parat që dëgjohen. Ato japin mesazh që gjendja s’është hiq mirë. Aktorja në skenë luan me duart. Dëshmon se duart janë qendra e trupit. Me të njëjtin mesazh i drejtohet dhe një zë nëne. I flet se si duart janë të lidhura me zemrën. Kur kënga pushon ngadalë, burrat e marrin skenën e ajo mbetet një figurë perifikerik që hynë në lojë sa për të u shërbyer çaj. Burrat me plisa e me tirq pleqërojnë të shkuarën e të tashmen që su bie tamam. Kujtojnë kohën e rinisë e u dëgjohen lugët që rrokullisen në gota. Muzika e tingujve e fjalëve shqip mes skenave është fuqia shtesë. “O Zot, O Zot, o zoja e shpisë!” me koreografi të Robert Nuhës e tekst e dramaturgji të Zana Hoxhës, erdhi premierë në ditën e dytë të “FemArt” it në Prishtinë.
Festivali përgjatë gjithë ditës së dytë është shtrirë në tërë qytetin, me punëtori e shfaqje në “Dodona”, performancë te memoriali “Heroinat” e “NewBorn” e diskutim në Institutin Francez me temën “Femicidi – Si ta luftojmë?”. Por, përmbyllja në teatrin “Oda” është e tillë që të largon nga çdo gjë dinamike në të cilën ka kaluar paraprakisht. Për këtë dans-teatër duket sikur krejt folklori shqiptar është hulumtuar e aktorët kanë bashkëjetuar me të. Kaq e natyrshme është gjuha, shakatë, pasthirrmat, gjëmimi, por edhe frymëmarrja. Lëvizjet me koreografi profesionale japin dinamikë plotësuese. Të qeshurat e publikut u bënë dialog i vazhdueshëm me aktorët. Edhe kjo krejt natyrshëm. Shumë tema të tjera dalin në pah – aso krejt të zakonshme për një ambient burrash të ulur këmbëkryq besa edhe përtej asaj. Hisja është “mollë sherri” mes muhabetesh e avancimi i grave akoma gati se krejt i papranueshëm.
“I ka ardhë fundi kësaj dynjeje. Gratë po mendojnë që janë burra” – Ahmeti i drejtohet Bedriut dhe këtu publiku hyn në thelb të kauzës që bartë shfaqja. Del që është bërë problem që gratë kanë filluar të mendojnë për hise e ta zhvillojnë jetën edhe jashtë dyerve të shtëpisë. S’ka si të mungojë përmendja e kanunit. Shfaqja i ka rrënjët në rregullat shtypëse, por që trungun e zhvillon larg prej tyre. Besa e luajtur nga Altina Binaku përfaqëson personazhin e motrës, e cila ka trashëguar unazën e familjes. Por, vëllezërit Shpendi e Arbeni nuk e shohin si të drejtë. Madje Shpendi është i bindur që i takon edhe toka, edhe shtëpia, edhe unaza. Besa e mban atë, por as kur e pohon vëllezërit nuk binden.
Në raste dhe e shpërfillin derisa ajo luan me fuqinë e unazës deri në atë gjendje që do t’i tranformojë të gjithë. Atëherë, ata do duhej të qeshnin me njëri-tjetrin dhe veten në pasqyrë. Hijet ishin ndërgjegjja përtej tyre. Ky proces me gjithë këtë dinamikë skenike dhe dramturgjike ka pasur sfidat e veta për koreografin Robert Nuha.
“Ka qenë një proces shumë kërkues dhe i lodhshëm – proces në të cilin në thelb jemi munduar në forma komike t’i shprehim temat që janë të rënda për shoqërinë tonë. Ka qenë goxha sfiduese dhe na ka falur momente hareje. Një ndërthurje nëpërmjet artit të lëvizjes dhe artit të fjalës. Është dashur me aktorët ta gjejmë masën e caktuar që ta shprehim mesazhin e duhur dhe ta ruajmë kualitetin intepretativ”, ka thënë ai.
Besa për të ruajtur rrugën e saj me raste është edhe moskokqarëse. Adhuruese e madhe e muzikës rap – ku edhe e gjen revoltën që e shpreh në skenë. Pleqnarët shfaqen mes skenash sa për ta rikujtuar brumin e belasë që më shumë e përçanë se sa e ndërton raportin mes vëllezërve dhe motrës, madje lufta bëhet e ashpër edhe mes vëllezërve. Ata shpesh përfundojnë në një afërsi e situatash që i zhveshë nga maskuliniteti.
“Toka është për burra, për gratë është çaji”-është fjali tjetër me të cilën ironizohen gratë. Me një gërshetim të pasur vizual ku skenat ndërrohen pa u hetuar. NoaDance Theatre Co. me Artpolis bashkuan forcat për një interpretim të guximshëm dhe humoristik mbi maskulinitetin dhe patriarkatin. Duke kombinuar vallëzimin bashkëkohor, gjuhën e trupit dhe video projeksionet, kjo shfaqje riimagjinon praktikat tradicionale shqiptare në një mënyrë provokuese dhe argëtuese. Publiku qesh me ironinë, por hetohet që është i vetëdijshëm për mesazhin.
Hysaj: Shfaqja duhet të lëvizë nëpër qendra
Dramaturgu dhe regjisori Fadil Hysaj e përshkruan si një shfaqje me shumë finesë, delikatesë ku ironia dhe sarkazma është me masë. Si e tillë, sipas Hysajt shfaqja duhet të bartet edhe në skena të tjera pasi që arrin ta godasë me mesazhin që publiku të zhytet në të.
“Trajtimi i temës në një dimension shpesh mistik, pastaj kalimi prej një niveli në tjetrin, prej ëndrrës në realitet, lidhja e koreografisë me situatat, kanë një artizëm për lakmi – një artizëm jashtëzakonisht të ndërtuar. Ajo që më pëlqeu më së shumti është doza e kauzës delikate, nuk është agresive dhe kjo e bën shfaqjen të komunikueshme me publikun. Është mirë që kjo shfaqje të lëvizë nëpër qendra që të ketë efektet për kauzën prej së cilës ka lindur”, ka thënë Hysaj pas shfaqjes.
Shpendi luajtur mjeshtërisht nga Labinot Raci- vëllau më i madh i familjes dëshmon se e kishte pasur barrën e qëndrimit me babain kur vëllau e motra mendonin për ëndrrat. Flet për vetminë brenda familjes e se ia kanë mësuar që burrëria matet me ton e sjellje të vrazhda. Kështu ia ka mësuar babai dominues e nëna e nënshtruar. Se ndryshe s’mund të pranohet në shoqëri. Arbeni luajtur nga Edlir Gashi mban barrën tjetër të detyrimit të largimit se i rrezikohej fati. Por, ai është më mendjehapur dhe me raste edhe e beson se unaza i përket motrës.
Regjisorja Zana Hoxha që e ka bërë vetë tekstin dhe dramaturgjinë e shfaqjes “O Zot, O Zot, o zoja e shpisë!” e përshkruan si procesin më sfidues deri tani. Temën e kësaj shfaqje e kishte pasur shpesh pjesë të diskutimeve, por kur bëhej fjalë për skenën ajo ishte përpjekur të mësojë procesin që koreografi dhe regjisori Robert Nuha, së bashku me aktorët e kishin krijuar. “I gjithë procesi ishte shumë horizontal dhe bashkëpunues dhe sfidat ishin të shumta, sidomos duke qenë se ishte një kombinim teknikash të ndryshme si projeksione, vallëzim, aktrim dhe stile të ndryshme artistike.”
“Si regjisore feministe, dhe tani edhe si dramaturge, bashkëpunimi im me Robertin dhe Ansamblin Artpolisit ka qenë një eksperiencë shumë e rëndësishme për mua. Gjithmonë kam qenë e fokusuar në trajtimin e tekstit nga një perspektivë feministe, duke u përqendruar veçanërisht në traditat, zakonet dhe luftën ndaj mentalitetit patriarkal. Kjo është ajo që më frymëzon si regjisore dhe dramaturge – të krijoj një qasje ku humori depërton në fillim, për të tërhequr zemrat e njerëzve. Por, ndërsa zhvillohet shfaqja, gjërat bëhen më dramatike dhe në fund arrin një mesazh i fortë, ku humori zhduket dhe emocioni thellë prek publikun”, ka treguar ajo. Dhe në fakt ashtu dhe ndodhi. Secili gjeti pjesë nga vetja, vëllau, motra, nëna dhe babai.
Besës nuk i bënte asgjë përshtypje. Luftonte vetëm në përballje direkte. Asnjë bisedë më shumë, kah fundi i shfaqjes zhytej ne pasionet dhe ëndrrat e saj. Një personazh i ndarë nga normat që më shumë i bëjnë dëm se sa dobi dëshmon që ndonjëherë betejat mund të fitohen edhe duke mos i përfillur. Vajzat si Besa e mbajnë pushtetin, luftën ua lënë të tjerëve. Kjo ndodh sepse ato besojnë në fitoren dhe atë që ju takon. Këtë na mësoi “FemArti” në mbrëmjen e dytë. / KultPlus.com