Opera e parë kosovare, “Goca e Kaçanikut” po vjen premierë pas 53 vitesh, nisin provat regjisoriale (VIDEO)

30 Janar, 2024 - 12:34 pm

Përkundër faktit që “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit Rauf Dhomi është opera e parë kosovare, ajo vetëm tani, pas gjysmë shekulli, po inskenohet për herë të parë në vendlindje, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, sot kanë filluar provat e para regjisoriale për të sjellë premierën e planifikuar më 22 dhe 24 shkurt të 2024-ës, në Sallën e Sportit “1 Tetori” në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Premiera e kësaj shfaqje ishte planifikuar të jepej më 28 nëntor të vitit që e lamë pas, por për shkaqe teknike ajo u shty për muajin shkurt dhe me këtë rast po vjen si aktivitet kryesor për nderë të pavarësisë së Kosovës.

Meriton Ferizi, zëvendësdrejtor i Operës së Kosovës ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se puna për përgatitjet e shfaqjes ka filluar me shumë energji, vullnet, profesionalizëm dhe pozitivitet.

“Prova e parë regjisoriale filloi me shumë energji, vullnet, profesionalizëm dhe pozitivitet, e udhëhequr nga regjisori i mirënjohur shqiptar Nikolin Gurakuqi me solistët dhe korin, për realizimin dhe inskenimin e Operës së parë Kosovare “Goca e Kaçanikut” të kompozitorit Rauf Dhomi, e cila do shfaqet për herë të parë e inskenuar në tërësi apo e kompletuar si (premierë botërore) në Kosovë, pas plot 53 vitesh së ekzistuari si vepër kombëtare. E gjithë kjo në kuadër të Pavarësisë dhe 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Urime dhe suksese të gjithë pjesëmarrësve”, ka shkruar Ferizi.

Kujtojmë që në këtë shfaqje operistike, në dy rolet kryesore janë sopranoja Adelina Paloja (Pafika) dhe tenori Ismet Vejseli (Trimori).

“Goca e Kaçanikut”, opera e parë kosovare, bënë fjalë për luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës. Këta dy ëndërrojnë për një jetë të lirë dhe të lumtur. Mirëpo tradhtari Rus Bashi i pengon, duke e akuzuar Trimorin për tradhti. Trimori burgoset, kurse Rus Bashi tenton ta rrëmbejë Pafikën. Në ndërkohë shokët e lirojnë Trimorin. Në momentin kur Rus Bashi e sulmon Pafikën, paraqitet Trimori, ndërsa Pafika arrin ta vrasë tradhtarin. Të gëzuar, të gjithë i këndojnë lirisë e dashurisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme