“Opera Gala”, 150 artistë sjellin magjinë e muzikës klasike në TKOB

17 Prill, 2025 - 4:54 pm

Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në datat 17 dhe 18 prill do të ngjitet shfaqja “Opera Gala”, që pritet të sjellë orkestrën simfonike, korin, trupën e baletit dhe solistët në një performancë të jashtëzakonshme nën drejtimin e dirigjentit Sergio Alapont dhe me koreografi e regji të mjeshtrit Renato Zanella.

Sipas njoftimit të TKOB, publiku do të ketë mundësinë të udhëtojë përmes disa arieve më të dashura të muzikës klasike, ndërsa do të shijojë pjesë nga Moxart, Verdi, Puçini apo Shtraus.

“Kjo shfaqje është një mënyrë për të celebruar muzikën me të gjithë artistët. Janë disa numra muzikore të disa kompozitorëve ku secili prej numrave shpërfaq dashurinë. Muzika, zëri, vallëzimi është art i gjallë, që duhet të mbetet në teatër”, tha Renato Zanella gjatë konferencës për shtyp për prezantimin e kësaj shfaqjeje. 

 “Kënaqësi që jam këtu për këtë event të rëndësishëm. Do doja të nënvizoja një fjalë, gëzim, është ai fill që lidh artistët me publikun, dhe është ky koncept që duhet ndjejë edhe populli që ka mbushur sallat për të ndjerë muzikën”, tha dirigjenti Sergio Alapont.

Për artistët është e bukur që kjo shfaqje vjen pikërisht në pranverë, një periudhë që lidhet me rilindjen ndërsa tregojnë se çfarë do të sjellin këto mbrëmje.

 “Mblidhen shumë vepra bashkë, që në shumicën e titujve që kanë, mbyllja është goxha tragjike dhe dramatike, e ndonjëherë harrojmë ato bulëzat e bukura të gëzimit që kalojnë këto personazhe të rëndësishëm, që pothuajse të gjithë ne në panel i këndojmë në këtë vepër. Por pjesa e trishtë që ato kanë largohet, duke mbajtur dashurinë si fjalë kryesore, gëzimin, xixat e bukura të sjella bashkë. Është koncert i veçantë se jo gjithmonë na bie fati të jemi të gjithë protagonistë kryesorë në të njëjtën skenë”, u shpreh mezosopranoja Vikena Kamenica.

Ndërsa, balerina e parë e TKOB pohoi se “galaja në vetvete përmban shumëllojshmëri muzike, baletin dhe e bëjnë të gëzueshme e jo të mërzitshme për publikun. Publiku do ta mirëpresë se ka vërtet alegri”.

Opera gala do të zgjasë dy orë dhe do të sjellë në skenë 150 artistë të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme