3 Maj, 2023 - 1:08 pm
Teatri i Operas dhe Baletit publikoi kalendarin artistik të muajit maj ku do të tejçojë mes notash pentagrami e bashkëpunimesh vëllazërore, fillimisht historinë e kombit shqiptar, që prej më shumë se 5 shekujsh qëndron përkrenare mbi kokat tona.
Kjo histori vjen përmes operës solemne “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryezot i Arbërit”, me kompozitor Vasil Tolen dhe me libret të bazuar mbi veprën e Fan Nolit.
Opera do të shfaqet për artdashësit në Tiranë, më 9 maj por artistët do të udhëtojnë drejt Prishtinës ku shfaqja është parashikuar të jepet më 17 maj.
“Tingujt e Luftës së Parë Botërore” është një koncert me muzikë dhome, ku soliste do të jetë vetë drejtoresha e TKOB-së, Abigeila Voshtina, kësaj here në rolin e violinistes dhe që do të shoqërohet në piano nga Herta Cane.
Në këto ditë pranvere, TKOB do të sjellë dhe alegrinë spanjolle të Cervantes, përmes baletit premierë “Don Kishoti”, sjellë mjeshtërisht nga emra të shquar ndërkombëtarë.
Vlen për t’u përmendur dhe fakti që TKOB së fundmi mendon enkas për fëmijët, duke vënë në skenë opera të përshtatshme për ta. Kësaj here fëmijët dhe prindërit e tyre do të mund të shohin “Flautin magjik” të Mozart-it, mbështjellë me pëlhurë përrallore e përcjellë me melodi magjike për fëmijë e familje./atsh/ KultPlus.com