5 Tetor, 2024 - 9:07 pm
“Opera për tre grosh” është premiera në teatrin “Migjeni” e cila shtroi pyetjen se çfarë është njeriu. Kjo vepër e Bertold Brecht e shkruar thuajse 100 vite me parë u vendos në skenë nga regjisori japonez Kuinaki Ida i cili pas shfaqjes tha se e gjithë bota jeton me një ligësi të madhe gjë për të cilën njeriu duhet të reflektojë.
“Jam shumë i lumtur, kisha ritëm, pastaj flasim për një shfaqje që zgjat mbi dy orë dhe ta mbash në ritëm nuk është aspak e lehtë. Në këtë shfaqje shtruam pyetjen se çfarë është njeriu, kjo pyetja e madhe që u hodh sot. Në çdo shtet të botës thuajse është një situatë e vështirë, ka shumë ligësi, egoizëm, diçka shumë e rëndësishme pastaj është edhe lufta për paratë dhe pastaj lind pyetja e madhe çfarë është qenia njerëzore? Dhe duhet të reflektojmë për këtë, nuk ka një përgjigje ekzakte. Kam punuar me nacionalitete të ndryshme, por aktorët shqiptarë kanë një ndjeshmëri të madhe dhe kjo na intereson shumë, është e rëndësishme. Shqipëria dhe populli shqiptar janë shumë bujar, kjo është e mrekullueshme dhe prandaj e gjithë bota po e zbulon dalëngadalë Shqipërinë”, tha regjisori japonez.
Një prej aktorëve kryesor në këtë shfaqje Rafael Hoxhaj thotë se ndjehet i lumtur që erdhi në qytetin e tij me një vepër që flet për aktualitetin më shumë se kurrë, në një vend me mungesë të lirisë dhe ku e drejta është e cunguar.
Publiku reagoi pozitivisht thotë aktori Jozef Shiroka në këtë shfaqje e cila flet për problemet që kemi dhe që nuk dihet kur do të marrin fund.
Premiera “Opera për tre grosh” e cila do të vijojë edhe për dy ditë të tjera në teatrin “Migjeni” kishte një ndërthurje aktorësh profesionistë me eksperiencë por edhe të rinj nga Shqipëria dhe Kosova si dhe aktor amator të cilët përcollën për publikun mesazhet e forta të kësaj pjese që luhet mes dramës dhe komedisë./ balkanweb/ KultPlus.com