18 Mars, 2025 - 5:00 pm
Në kryeqendrën e Shqipërisë, në datat 24, 25, dhe 26 mars shfaqet opereta “Karnavalet”, në skenën madhështore të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Me një skenografi mahnitëse, që rikrijon kalldrëmet karakteristike të qytetit, dhe një kostumografi autentike që të kthen pas në vitet ’30, kjo shfaqje premton të jetë një udhëtim në kohë plot të qeshura, ngjyra dhe emocione.
Nikollaq dhe Olimbi Jorganxhi, tregtarë të njohur në Korçë, janë në kërkim të një dhëndri për vajzën e tyre 30-vjeçare, Afrovitin. Por përzgjedhja nuk është e lehtë, sepse Olimbia ka një kërkesë të panegociueshme: përveç prikës, vajza duhet të ketë edhe një piano.
Nën regjinë e Inva Mulës, me dy kaste të mrekullueshme artistësh, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOBAP-së, dirigjuar nga Elda Laro dhe Dritan Lumshi, “Karnavalet e Korçës” për plot tre netë në Tiranë do të sjellin në skenë një festë të vërtetë muzikore dhe vizuale, ku tradita dhe arti bashkohen në një spektakël të paharrueshëm.