Orkestra Simfonike e RTSH-së nis vitin artistik me mjeshtrin Oleg Arapi

8 Janar, 2019 - 4:50 pm

Orkestra Simfonike e RTSH e nis këtë vit artistik me koncertin e datës 11 janar, që do të zhvillohet në skenën e Universitetit të Arteve.

Me një program të pasur muzikor koncerti vjen nën dirigjimin e mjeshtrit të njohur Oleg Arapi. Në programin muzikor janë vepra të autorëve si Beethoven, Martinu, Brahms, dhe solistë janë Zamir Kabo në piano, Lena Neudauer në violinë, Leonhard Roczek në violonçel.

Mjeshtri Oleg Arapi ka dirigjuar koncerte me solistë shqiptarë dhe të huaj. Ka drejtuar formacione të ndryshme orkestrale në Avellino, Napoli , Salerno, Brindisi, Dibër të Madhe, Strugë, Prizren, Prishtinë, Sarajevë, në Katedralen Angleze dhe Qendrën Ndërkombëtare të Muzikës në Moskë, në Kapelën Perandorake në Shën-Petersburg.

Ka drejtuar koncerte me Orkestra Filharmonike: në Poloni, Moskë,  Ukrainë, Ecuador, Pragë, Shenzhen Kinë, Mendoza Argjentinë, Kazan, Voronezh.

Repertori i Dirigjentit përfshin veprat më të mira të kompozitorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Në 29 Prill 2014 vuri në skenë Premierën Botërore të Operës “La cartomante” të kompozitorit Italian Salvatore Valente. Në Prill 2013, dekorohet nga Akademia Internacionale “Imperiali” e Italisë, me medaljen “Ylli i Artë”./A.T.SH/ KultPlus.com

Të ngjajshme