Pa kulm mbi kokë por me shumë shkëlqim, Pafika e jonë me shpirtin e sopranos Adelina Paloja

2 Mars, 2024 - 3:32 pm

Ardianë Pajaziti

Pafika e Gocës së Kaçanikut nuk e ka komoditetin  e artisteve të operave të shteteve të zhvilluara, të cilat shijojnë edhe shumë repriza të një shfaqje operistike dhe kalojnë prej njërës në tjetrën shfaqje. Pafika jonë hoqi gërshetat menjëherë pas reprizës së dytë të shfaqjes “Goca e Kaçanikut”, ‘armët’ e shfaqjes dhe u nis për në Pejë, për të vazhduar rutinën e mëhershme, për të mbajte mësim me studentët e muzikës. Sepse, një soprano në Kosovë nuk është vetëm një soprano, për faktin se nuk mund të mbijetojë si e tillë. Një soprano në Kosovë mund të jetë një soprano, mund të jetë edhe një profesoreshë, mund të jetë pjesë e korit shtetëror, mund të jetë pjesë edhe e një projekti tjetër të jashtëm, por asesi nuk mund të jetë vetëm një soprano që mund ta shijojë magjinë e një shfaqjeje edhe për një kohë, edhe përkundër sakrificës e mundit të madh, që në fund audienca me shumë dashuri t’ia shtojë epitetin e dashur “Pafika jonë”.

Pafika jonë nuk i ka mbajt provat në sallën ku edhe është dhënë premiera, sepse Pafikës sonë ende nuk i është ndërtuar shtëpia e saj. Pafikës sonë dhe krejt trupës përcjellëse të shfaqjes “Goca e Kaçanikut” i është dashur të ushtrojnë në Sallën e Kuqe të Prishtinës, e më pas të barten për premierë dhe reprizën e parë në një sallë private, ku vetëm me provën gjenerale, shpejt e shpejt u është dashur të përshtaten me formatin e skenës së re.

Pafika jonë nuk ka pas një dhomë personale në prapaskenë, edhe përkundër peshës së madhe si artistja kryesore e shfaqjes, po prapa perdeve me gjithë trupën e shfaqjes, ata disi struken në qoshe të prapaskenës, e brenda pak minutave duhet të shndërrohen në shkëlqim të saj.

Kjo është Pafika jonë, që shpërfaqë në të njëjtën kohë edhe suksesin edhe sakrificën, edhe buzëqeshjen edhe trishtimin, edhe shkëlqimin në skenë edhe vuajtjet prapa skenës, por e lumtur, shumë e lumtur, për faktin se pikërisht asaj i është besuar ky rol historik për Operën e Kosovës, e cila vazhdimisht do të kujtohet si sopranoja që hapi perdet për këtë institucion me një shfaqje operistike kombëtare, institucion që mëton që në vitet në vijim ta ketë shtëpinë e saj operistike.  

E lodhur nga rruga, pas kthimit prej Pejës ku kishte mbajt mësim me studentët e saj, sopranoja Adelina Paloja përderisa fliste me mua, më thoshte se ende po e ka ndjesinë e gërshetave, e besa edhe shumë shpesh po prek brezin e saj, në kërkim të armëve (rekuizita të shfaqjes) .

“Më mungon Pafika”, thotë duke qesh Adelina Paloja, e cila nuk e fsheh kënaqësinë e suksesit të dy mbrëmjeve kur edhe e shfaqën shfaqjen “Goca e Kaçanikut”, shfaqje kjo me muzikë të Rauf Dhomit, regji të Nikolin Gurakuqit, libret të Jusuf Buxhovit e Ajmone Dhomit.

Adelina Paloja nuk ishte fare në këtë botë kur kompozitori Rauf Dhomi para 53 viteve e kishte rrumbullakuar këtë shfaqje operistike, por as kur para 45 viteve ishte shfaqë për herë të parë në Tiranë. Dhe se një rol i tillë do ti besohej pikërisht vajzës nga qyteti me ajrin më të ndotur të Kosovës, Obiliqit, por që po ky qytet çuditërisht ka nxjerr një artiste me zë kaq të kristaltë. Dhe se do ti shkonte roli i Pafikës, jo të gjithë e kishin perceptuar, vetëm për një fakt, se disa menduan se Adelina Paloja ka një fytyrë shumë të butë për karakterin e Pafikës, sepse Pafika në këtë shfaqje paraqitet si një vajzë lozonjare e deri te heroina, dhe kësaj të fundit i druheshin. Por Adelina Paloja përgjatë intervistës kujtoi fjalët e kompozitorit e regjisorit të shfaqjes: Edhe kompozitori Rauf Dhomi, edhe regjisori Nikolin Gurakuqi, të dy të nesërmen më thanë ‘Kjo është Pafika jonë’.

Po jo vetëm shtëpia operistike u mungon këtyre artistëve. Edhe shkollimi i tyre, literatura lë shumë për të dëshiruar. Adelina Paloja tregon për KultPlus se për herë të parë për shfaqjen operistike “Goca e Kaçanikut” kishte dëgjuar përgjatë shkollimit, por vetëm si literaturë, nuk kishin pas rast si studentë që të dëgjonin ndonjë notë nga kjo shfaqje operistike.

“Në momentin kur është vendosë që të punohet për këtë shfaqje, atëherë edhe është filluar të punohet në përpunimin e shfaqjes, sepse ishte një botim i vjetër dhe mezi shiheshin notat”, ka thënë Plaoja.  

Ajo vazhdon ta konsiderojë rolin e Pafikës si rol të një shfaqje historike për Kosovën, dhe se ndihet me fat që pikërisht ky rol i është besuar asaj. “Ndonjëherë e ke përshtypjen që karriera e juaj nuk përcillet sa duhet nga të tjerët, sidomos nga profesionistët. Po pikërisht rrugëtimi i artistit nëpër shfaqje të tilla, si brenda dhe jashtë vendit, rrumbullakojnë mozaikun e suksesit dhe të ofrohen edhe role të tilla. Mendoj se mu për këtë arsye mu ofrua roli kryesor i kësaj shfaqje, sepse kanë parë performancat e mia të shumta”, ka thënë Paloja, e cila e vetëdijshme për peshën e shfaqjes, tregon për hezitimet që kishte në fillim, por dëshira dhe dashuria për këtë shfaqje, sipas saj kanë triumfuar në pranimin e rolit, dhe që sipas Palojës mbetet vendimi më i mirë që ka marr në karrierën e saj artistike.

“Ne si artistë kemi pas mundësi që të performojmë me vepra botërore, por asnjëherë më nuk do të përsëritet shfaqja e parë operistike kombëtare e Kosovës.  Kjo shfaqje për jetë do të mbetet në histori, dhe për mua nuk do të kishte një moment më briliant.  Rolit të Pafikës ia dhash hakun, e po besoj që edhe muzikës operistike kosovare”, ka thënë Paloja.

Sopranoja Paloja është e lumtur për këtë prurje operistike, shfaqje kjo që ka përfshirë solistë të rinj e energji të re.

“Po uroj që Opera e Kosovës të shihet me shumë prioritet, në mënyrë që solistët të angazhohen sa më shumë. Edhe pse arritëm ta realizonim këtë shfaqje, për shkak të kostove të larta që ka një shfaqje, ne e mbyllëm këtë sezon me vetëm dy repriza, në mënyrë që të kthehemi prapë edhe me disa repriza në vjeshtë. E uroj që këto repriza të jenë më të shpeshta, me qëllim që tu jepet shansë të rinjve”, ka thënë Paloja, e cila ka shpjeguar se kjo shfaqje operistike, si e para kombëtare për Operën e Kosovës do të shfaqet edhe në Shqipëri e Maqedoni të Veriut, me qëllim që të prezantohet trupa e Operës së Kosovës edhe përtej Kosovës.

Paloja, e cila qysh e vogël është marr me muzikë, një vajzë që e para në familjen e saj ka qarë rrugën e karrierës artistike, pa pas atë bagazhin e privilegjeve familjare, tashmë është prezantuar edhe në skena të ndryshme të Evropës, e përgjatë këtij viti ka projekte edhe në Austri e Itali. Ajo vazhdon të punojë brenda Kosovës e herë pas herë të lëvizë edhe jashtë shtetit, por asnjëherë se ka parë si opsion që karrierën ta realizojë vetëm jashtë Kosovës.

“Nuk është zgjidhje që secili të synojë për të performuar vetëm jashtë vendit. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se në vendet e jashtme ka shumë shtëpi operistike e shumë produksione, që shumë më lehtë se këtu mund të marrim edhe oferta. Por unë nuk e shoh atë zgjidhje, unë po besoj që institucionet e tona dita ditës po forcohen, dhe me patjetër bashkërisht duhet ti rrisim edhe profesionalisht. Unë do të vazhdoj të kem performanca jashtë vendit, por vetëm me lëvizje, asesi të shkëputem prej Kosovës”, ka thënë Paloja.

Duke kujtuar sfidat e shumta nëpër vite, qysh prej moshës së vogël ku i është dashur ti ndërrojë dy autobus për të ndjekur shkollën e muzikës, e deri të mosha e rritur, ku sipas saj shpesh herë i është bërë e padrejtë, ajo thotë se vetëm këmbëngulja të sjell role të mëdha, sikurse rolin e Pafikës, pasi që, sipas saj padrejtësitë e shumta përgjatë rrugëtimit, sidomos në fushën e artit, pothuajse janë shumë të shpeshta.

Duke bart mbi supe rolin kryesor që shënjon rrugëtimin e Operës Kombëtare të Kosovës, ajo tashmë ëndërron diçka tjetër. Skenat e mëdha prestigjioze sikurse “La skala” apo skena të ngjashme të mëdha, por sipas saj, jo me sforcim, se kërkesat e sforcuara sipas saj asnjëherë nuk e reflektojnë magjinë e skenës, por do të punojë shumë deri në një ngjitje të tillë skenike.

“Sikurse deri më tash që kam punuar pa sforcime, punë e angazhim që më solli rolin më të dashur që do ta ëndërronte çdo artiste, sepse si grua, unë me këtë rol përfaqësova heroinën tonë Pafikën, duke personifikuar shumë vajza e gra heroina shqiptare, e sukses më të madh nuk di që mund të ëndërrojë një artiste, sidomos kur kemi të bëjmë me sukës kombëtar. Pafika më ka plotësuar rrugëtimin në karrierën time artistike, dhe si të tillë do ta ruaj me shumë xhelozi”, ka thënë Paloja, e cila këtë sukses, thellë thellë ia dedikon prindërve e bashkëshortit të saj, që sipas Palojës, vetëm artistët e kuptojnë më së miri sakrificën e familjes, të cilët ndihmojnë aq shumë për një grimcë shkëlqimi skenik./ KultPlus.com

Të ngjajshme