7 Shkurt, 2021 - 11:54 pm
Të martën e 9 shkurtit, Teatri Kombëtar i Kosovës shfaq premierën “Pa Mua”, shkruan KultPlus.
Kjo vepër teatrale që do të shfaqet në skenën e vogël, është Diptih teatror i bazuar në “Pa mua”, të autorit Samuel Beckett.
“Pa mua” nga Samuel Beckett cilësohet ndër pjesët inovative të historisë së teatrit e si urë-lidhëse me artin bashkëkohor. Kjo pjesë shpaloset në hapësirë skenike pothuajse të errët, të ndriçuar pak fare”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Në pjesën ku regjia realizohet nga Shkurta Aliu, luan aktorja Donikë Ahmetaj, teksa në regjisurn e Alban Beqirajt, të pranishëm me interpretimet artistike do të jenë Afrim Muçaj, Labinot Rraci, Rajmonda Ahmetaj.
“Shfaqja në formatin diptih, shpalosë aspekte të shprehjes, zërit e trupit, ku figurat luajnë me rënien njerëzore, me modele të shumëfishta identifikimi, pa pasur influencë mbi veten. Këto shprehje prekin humbjen e veprimit social, prezencës trupore, si dhe tejkalimin e dialogut rudimentar. Në mungesë të imazhit dhe gjuhës të njëmend, spektatori ballafaqohet me situata penguese e tensionuese. Kjo marrëdhënie ndërmjet “trupit”, hapësirës e zërit na kthejnë prapa në origjinën e teatrit; e përmes lojës skenike, ngushëllimi i formës gjen përsëri kontakt me botën”, thuhet tutje në njoftim.
“Pa mua” është premiera e parë për muajin shkurt. / KultPlus.com