15 Dhjetor, 2022 - 10:30 pm
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka qenë sot e pranishme në ambientet e Shkollës së Baletit, ku ka ndjekur një pjesë të koreografisë së përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle, të cilët së shpejti do të ngjiten në skenën e teatrit të Gjenovës.
“Fat të takoja sot në Tiranë balerinin dhe koreografin e famshëm Patrick de Bana, por edhe më me fat të ndiqja një pjesë me koreografinë e tij të interpretuar nga nxënësit e talentuar të Shkollës së Baletit”, shkruan në një postim në rrjetet sociale, ministrja Margariti.
“Paganini” është një vepër e re që do të ngjitet në skenën e teatrit të Gjenovës, interpretuar nga të rinjtë tanë, veshur me fustanellat e bardha.
Për këtë projekt dhe të tjera argumente, ministrja Margariti ka diskutuar me koreografin De Bana dhe drejtoren e Shkollës së Baletit, Blerina Arbana.
“Një atmosferë plot shpresë për balerinët e rinj, por edhe për skenën tonë”, e ka vlerësuar ministrja, atmosferën e krijuar në Shkollën e Baletit përpara udhëtimit drejt Gjenovës./atsh/ KultPlus.com