Pas 10 vjetëve u rishfaq komedia ‘Gruaja e drejtorit’

7 Korrik, 2022 - 5:01 pm

Mbrëmë në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha” u shfaq komedia “Gruaja e drejtorit” e autorit Osman Goranci e me regji të Luan R. Kryeziut. Salla ishte e stërmbushur me spektatorë, të cilët për 1 orë e disa minuta, sa zgjati komedia, e përcollën me ovacione e duartrokitje frenetike.

Pak fjalë për përmbajtjen e komedisë

“Gruaja e drejtorit” është një komedi e ndarë në katër pamje. Autori, përmes personazheve vë në spikamë një familje tipike fshatarake, që papritur i bie të përballet me jetën në qytet – me qytetërimin, krejt e papërgatitur për ta mbajtur drejtpeshimin e jetës në rrethanat e reja. Pra, familja në fjalë gënjen vetveten dhe ëndërron se ajo është e vërteta e saj.

Personazhet e komedisë në fjalë janë: Gjyla (zonja e shtëpisë), Syla (bashkëshorti i Gjyles), Luli (djali 14-vjeçar), Tixha (pastruesja e shtëpisë), Baci Zenel (axha i Sylës), profesor Neli (kujdestari i klasës së Lulit), zonja Dritë (fqinja e Gjyles) dhe Xhemshiti (burri i Tixhes, pastrueses së shtëpisë).

Loja e aktorëve

Përmes lojës së shkëlqyeshme të aktorëve u treguan në mënyrë të qartë peripecitë e kësaj familjeje. Syla, bashkëshorti i Gjyles, i cili është drejtor i një ferme në qytet, pas një pune kthehet në shtëpi dhe dëshiron ta befasojë bashkëshorten e tij, Gjylen. Por, ai has në pastruesen e shtëpisë, Tixhen, të cilën Gjyla e kishte punësuar pa u konsultuar me bashkëshortin e vet dhe këtu fillon ngjarja.

Krejt në fund, ferma, ku Syla ishte drejtor privatizohet dhe ai ngelet pa vend pune. Në ndërkohë, në qytet vjen për t’i vizituar, baci Zenel, vëllai i madh i Sylës. Pas një bisede pothuajse të gjatë, baci Zenel arrin ta bindë Sylën që të kthehet në fshat, për të ndërtuar një fermë të madhe, ku me të vërtetë Syla bëhet drejtor i saj. Nga udhëtimi në qytet i bacit Zenel, që ishte për ta vizituar Sylën, përfiton nga rasti dhe martohet me fqinjën e tyre, zonjën Dritë, dhe të gjithë së bashku kthehen në fshat për ta ndërtuar sërish jetën e tyre.

Pa dyshim, njra prej shfaqjeve tona ë të mira ka qenë pikërisht kjo komedi – komedia “Gruaja e drejtorit”. Prandaj, vendosëm që për publikun tonë të shumë ta rishfaqim edhe pas dhjtetë vjetëve, sepse vetë shikuesit në njëfarë mënyre na kanë imponuar këtë. Edhe kësaj radhe, sikurse në shfaqjet e shumta para dhjetë vjetëve, salla ka qenë e stërmbushur me shikues, të cilët na shpërblyen me duartrokitje frenetike. Natyrisht, kjo na mobilizon që ne të jemëi edhe më të organzuar në shfaqjet tjera që na presin.

Fillimisht, në bashkëpunim me Kuvendin e Komunës së Prizrenit, përkatësisht Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, do të prezantohemi me këtë komedi para bashkatdhetarëve tanë më 23 korrik, e pastaj do të udhëtojmë në Ulqin për të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar “Skena verore – Ulqini 2022 më 10 dhe 11 gusht të këtij viti, sikurse edhe në Tuz”, ka thënë kryetari i Teatrit të Qyteit të Prizrenit (Teatrit amator), Vllaznim Bytyçi.

Pas përfundimit të komedisë, kryetari i Teatrit të Qytetit të Prizrenit, shtroi darkë për aktorët e kësaj shfaqjeje, për aktorët e vjetër, si dhe për stafin e Teatrit./ KultPlus.com

Të ngjajshme