1 Nëntor, 2021 - 8:00 pm
Shfaqja “John Cage’s Hamlet” e regjisorit të ndjerë Bekim Lumi rikthehet pas gjashtë vitesh në kuadër të Kosovo Theatre Showcase të mërkurën më 3 nëntor në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës.
Premiera e kësaj shfaqjeje është dhënë më 20 nëntor 2015 ndërsa në shfaqje luajnë Bujar Ahmeti, Labinot Raci, Luan Durmishi (tenor), Adorel Haxhiaj (violonçelo).
Kjo shfaqje përdor një qasje teatrore eksperimantale përmes të cilës Hamleti i Shekspirit ndërthuret, përzihet, shkrihet e tretet në një material bashkë me vizionin muzikor të kompozitorit avangard amerikan John Cage. Edhpse është e bazuar në tragjedinë e Shekspirit, performanca i refrohet asaj në shumë pak pjesë.
“Jemi angazhuar maksimalisht që në këtë Showcase ta kthejmë Hamletin e Bekës si mënyrë për ta kujtuar vetë regjisorin tone që në pak kohë teatrit të Kosovës i dha freski në repertor, inovacion në qasje e cilësi në prurje. Bekimi ishte ai ‘fajtori’ pse kreacioni teatror kosovar pësoi një transformim inspirues që bëri që edhe njerëzit ti ktheheshin shfaqjeve”, thuhet në deklaratën e organizuesve të Showcase.
Përkundër pagëzimit dhe identifikimit të saj me emrin e John Cage-it, ajo nuk shërbehet me muzikën e tij, por, vetëm në aspektin konceptual, frymëzohet dhe merr shkas nga idetë, nga vizioni dhe nga maksima e tij antologjike se “Çdo gjë që ne bëjmë është muzikë”. Të tjerat janë heshtje”. Kjo është fjalia e prekshme, mistike e rrëqethëse me të cilën Princi Hamlet, si një amanet për mikun e tij të zemrës, Horatin, jep frymën e fundit të jetës së tij. Me fuqinë e saj shprehëse dhe emocionale, kjo fjali ngjethëse vjen e ngjashme me veprën e famshme muzikore 4’33” (“Four minutes, thirty-three seconds”) të John Cage. Edicioni i 4-të i Kosovo Theatre Showcase mbahet prej 2 deri më 7 nëntor në Prishtinë, Ferizaj e Gjilan ku do të prezantohen 10 performanca teatrore nga Kosova dhe rreth 4 të tjera nga rajoni dhe Evropa Kosovo Theatre Showcase organizohet nga Qendra Multimedia në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin e Qytetit në Gjilan, Teatrin “Adriana” në Ferizaj dhe teatrin “Dodona” në Prishtinë. / KultPlus.com