4 Shtator, 2024 - 9:29 pm
Vjollca Duraku
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Baleti Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me “Ajkun Ballet Theatre” kanë sjellë premierë në Prishtinë shfaqjen “Tango Nights”, të koreografes Chiara Ajkun, shkruan KultPlus.
“Tango Nights”, e cila nuk shfaqë domosdoshmërisht një histori të bazuar në ndonjë ngjarje reale, paraqet jetën e viteve 1990 në Buenos Aires, ku tangoja ishte forma e vetme e argëtimit. Në këtë kontekst, koreografja Ajkun kapet për elementet e “Tangos” si kërcim i pasionit, zjarrit dhe luftimit, duke e zbërthyer deri te kompleksiteti i madh i marrëdhënieve njerëzore.
Ngjarja në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës filloi në një formë të mistershme, ku shpërthimi i një tymi në formë të çrregullt tërhoqi vëmendjen e publikut, duke e shënuar edhe fillimin e shfaqjes së baletit, e cila zgjati rreth 90 minuta.
Misteri vazhdonte edhe më tej në një errësirë totale për disa sekonda, derisa një dritë e kuqe, e fokusuar mbi subjektin e ngjarjes, filloi të qartësoj gjithçka. Një zotëri i dehur plotësisht, mbi një tavolinë nën dritat e barit ku pinte, dhe e dashura e tij e dëshpëruar për këtë fakt, ishte pika e parë interpretuese.
“Vera” në këtë shfaqje paraqitet si element thelbësor rreth së cilës inkorporoheshin vallëzimi, pasioni, misteri, joshja, dhe aktet e çuditshme, të cilat në mënyrë profesionale u sollën nga pjesëtarët e trupës së baletit në solo, duo, trio, quatro duke dhuruar për publikun art përmes profesionalizmit, bukurisë elegante dhe muzikës së mrekullueshme në prapavijë.
Një skenë e cila e tërhoqi shumë vëmendjen e publikut ishte ajo ku përmes sharmit të jashtëzakonshëm dy djem me lëvizje plot takt ziheshin për të fituar zemrën e një vajze, e cila i tundonte të dy me lëvizjet e saj joshëse, bukurinë e së cilës e shtonte edhe më shumë fustani me ngjyrë të kuqe, i cili i ndiqte lëvizjet dhe secilin hap të saj.
Ndërsa fundin e kësaj shfaqje e shënoi një pikë interpretuese nga një pjesë e madhe e trupës së baletit në të cilën paraqiteshin: trishtimi rreth dehjes, marrëdhëniet mes dyja gjinive, puthjet, ledhatimet, loja me karta, zjarri e pasioni duke e përmbyllur me shfaqjen me skenën e njejtë të fillimit, të zotëriut të dehur mbi tavolinë.
Këtë shfaqje e cila u pëlqye nga publiku e sollën balerinët: Mërgime Morina, Jeta Musolli, Vjollca Llugiqi, Leonora Rexhepi, Besarta Shaljani, Fatmir Smani, Sead Vuniqi, Fisnik Smani, Muhamet Bikliqi, Kreshnik Musolli, Momoko Burbine, Klevis Tafaj, Areum Jeong, Jeffrey Salce, Megan Dollar, Abbi Johnson, Telmen Munkherdene, Bailey Smith, Hitomi Ippongi, Tomas, Martinelli, Elisa Molinari, Bianka Skenderi dhe Risa Tada.
Pas shfaqjes, koreografja Chiara Ajkun tregoi për përvojën e saj në realizimin e këtij projekti me BKK.
“Bashkëpunimi lindi pasi unë shpreha interesimin tim te drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, i cili ishte duke kërkuar të ndërmarrë bashkëpunime. Unë kam ardhur këtu në muajin Mars, ku edhe më pëlqeu shoqëria dhe kultura e jashtëzakonshme dhe kështu unë krijova këtë “Tango Nights” për Baletin Kombëtar të Kosovës”, ka thënë koreografja Ajkun.
Ndërsa balerini i trupës së baletit “Ajkun Ballet Theatre”, Klevis Tafaj, tha se ndihet jashtëzakonisht i lumtur që edhe në Prishtinë arritën të sjellin me po të njejtin sukses këtë shfaqje, pasi sipas tij baleti është një formë e fuqishme e përfaqësimit të shtetit.
“Sigurisht ishte një emocion i dyfishtë për mua të performoj para një publiku shqiptar. Ndjehem i lumtur për vetë faktin që jemi këtu dhe për bashkëpunimin. Këto bashkëpunime ndihmojnë në zhvillimin e artit jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, sepse baleti është pjesë e rëndësishme e një shteti. Pati shumë emocione, shumë duartrokitje. Shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen” ka thënë balerini Tafaj.
Ai më tej u shpreh i ngazëllyer me mirëpritjen që Baleti Kombetar i Kosovës i kishte bërë “Ajkun Ballet Theatre”.
“Unë jetoj në Amerikë, jam pjesë e kompanisë “Ajkun Ballet Theatre” pjesë e së cilës është edhe koreografja Chiara Ajkun. Me kolegët këtu ka dhjetë vite që njihem. Kam qenë këtu edhe para 10-të vitesh, para se të shkoj në amerikë, kur ka qenë drejtor Ahmet Brahimaj. Këtu gjithmonë jam ndier si në shtëpinë time, janë të gjithë të sjellshëm, të gjithë të dashur, të respektueshëm. Jemi munduar që atë respektin që na kanë dhënë këtu të ju japim edhe ne në Amerikë. Shfaqja edhe atje ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm” ka thënë Tafaj.
Kurse, për balerinën Jeta Musolli bashkëpunimi në mes të dy trupave të baletit ka qenë një përvojë me emocione të jashtëzakonshme.
“ Këtë shfaqje e kemi dhënë edhe në New York, në bashkëpunim me Chiara Ajkun dhe kompaninë e saj. Ishte majft emocionuese që dy trupa të bëhemi përsëri bashkë dhe të paraqitemi para publikut në Kosovë. Kësaj radhe është dashur që të japim dyfish më shumë energji për shkak se kemi qenë në pushim, por u munduam të mobilizohemi të gjithë dhe besoj që ja kemi arritur qëllimit. Jam shumë e lumtur që publiku e pëlqeu”, ka thënë balerina Musolli.
Ndërsa drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, tha se ndihej i lumtur që marrëveshja me koreografen Ajkun, sipas tij u realizua në tërësi sipas planit të paraparë.
“Më vjen mirë që i gjithë plani dhe gjithë marrëveshja që e kemi pasur me koreografen Chiara Ajkun është duke shkuar sipas asaj që e kemi planifikuar qysh në vitin e kaluar. Do të thotë shfaqja “Tango Nights” është planifikuar që fillimisht të shfaqet në NewYork pastaj edhe në Prishtinë. Jam i kënaqur që kemi arritur ta shfaqim edhe në Prishtinë. Është një shfaqje e cila është e bazuar kryesisht në solistë me një mozaik duetesh, triosh, kuartetesh”, ka thënë ai duke potencuar me krenari edhe pëlqimin e shfaqjes nga ana e publikut.
“Me sa e pashë, publikut i pëlqeu shfaqja, është një nga ato shfaqje nga të cilat nuk pritet të ketë ndonjë linjë dramaturgjike, por që me lëvizje të bukura, me një koreografi të bukur që Chiara e ka ndërtuar me balerinët tanë dhe balerinët e kompanisë “Ajkun Ballet Theatre”. Besoj që para publikut është shfaqur diçka shumë të bukur”, ka përfunduar drejtori Kajtazi.
BKK këtë muaj do të prezantohet në Korenë e Jugut dhe Seul. Pas këtyre aktiviteteve BKK do të fillojë përgatitjet për premierën e pestë për këtë vit, e cila do të shfaqet me datën 14 nëntor 2024./ KultPlus.com