3 Nëntor, 2022 - 5:30 pm
Era Berisha
Vepra dramaturgjike e Andon Zako Çajupit, “Pas vdekjes” do të ringjallet kësaj here për tu shndërruar në një shfaqje komedi që shumë shpejt do të prekë ambientin e ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ‘Amfiteatri në Pallatin e Rinisë’. Ngjarja zhvillohet në një klub të shqiptarëve të Selanikut më 1910. Por, shfaqja është një mbindërtim, e shkruar nga dramaturgu Shpëtim Selmani, shkruan KultPlus.
Në qendër të veprës kemi demaskimin e demagogjisë së xhonturqve dhe bejlerëve që u bënë vegël e tyre, ndërsa ndodhitë jetësohen në zyrat e gazetës “Liria”. Është një komedi politiko-shoqërore, që shfaq fokusin nëpërmjet situatave komike por që në thelb janë shumë më të thella, dhe e njëjta tashmë do ta ketë premierën në muajin nëntor. Shfaqja vjen nën regjinë e Fatos Berishës me kastën e mrekullueshme të aktorëve si: Armond Morina, Ard Islami, Teuta Krasniqi, Ylber Bardhi, Majlinda Kosomoviq, Armend Smajli dhe Naim Berisha.
Vepra u botua pas vdekjes së shkrimtarit Çajupi dhe konsiderohet të jetë udha e parë drejt komedisë politike në letërsinë shqiptare. Me një ndjesi poetike, nëpërmjet personazhit të doktor Adhamullit, shfaqet mendësia e njerëzve mendjemëdhenj, ata që shpirtin e kanë të varfër dhe asnjë punë atdhetare për ta, nuk ka vlerë pa prezencën e tyre. Ndërsa, personazhi tjetër i spikatur, Zeneli, përfaqëson njeriun e thjeshtë të popullit me ç’rast shpalos një humor e mençuri të paparë. Elementet si ‘Abetarja shqipe’ dhe ‘Kongresi i Manastirit’, po ashtu luajnë një rol të madh në këtë rrugëtim.
Shfaqja “Pas vdekjes” ka ardhur si propozim nga Teatri Kombëtari i Kosovës, dhe pasi është aprovuar si tekst, së bashku edhe me veprat e tjera për repertorin e sezonit të ri, regjisori Berisha e ka pranuar me kënaqësi këtë ftesë, dhe gjithmonë me idenë që mund të mbindërtohet kjo vepër një-aktëshe. Dhe ajo që po përpiqet që të bëhet, është një shfaqe që flet për neve, sot.
Në një intervistë për KultPlus, regjisori Berisha ka shpalosur ende më shumë, lidhur me këtë shfaqje dhe procesin e saj deri në premierë.
“I gjithë ekipi i aktorëve të shfaqjes, përveç Armond Morinës, është nga ansambli rezident i Teatrit Kombëtar të Kosovës. E ata janë: Teuta Krasniqi, Ylber Bardhi, Ard Islami, May-Linda Kosumovic, Armend Smajli dhe Naim Berisha. Jam shumë i kënaqur me ekipin, ndërsa jam i lumtur që pas një kohe të gjatë, përsëri do të punoj me Armondin në teatër”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, vështirësitë që hasen në një rrugëtim të tillë janë nga më të zakonshmet. Pra, fillimi i provave, zbërthimi i tekstit, analiza e personazheve, marrëdhëniet e tyre. Gjithçka brenda normales gjatë punës në një shfaqje. Ai tutje thotë se ende janë në fillim të procesit dhe atmosfera konsiderohet të jetë e mirë.
Tanimë Teatri Kombëtar i Kosovës ndodhet në renovim, dhe regjisori Berisha ambientin e ri e ka vlerësuar si një hapësirë të përshtatshme pune.
“Ambienti i ri, Amfiteatri në Pallatin e Rinisë është një hapësirë shumë e mirë, në fakt. Sidomos për një shfaqje si kjo e jona. Drejtori Sheremeti dhe ekipi i TKK-së kanë arritur ta kthejnë në hapësirë të përshtatshme pune në afat rekord”, thotë ai.
Ndërkaq, premiera e shfaqjes “Pas vdekjes” ende nuk dihet saktë se kur do të shpaloset, por që patjetër do të jetë përgjatë muajit nëntor.
Kompozitore: Rona Castrioti
Skenograf: Bekim Korça
Kostumografe: Yllka Brada
Asistente regjie: Yllka Lota
Foto/Video: Joni Mithi
Inspicient: Bajram Mehmeti
Ndriçimi: Mursel Bekteshi. / KultPlus.com