20 Mars, 2018 - 1:17 pm
Gili Hoxhaj
Mbrëmë në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, erdhi premierë shfaqja “Pasioni”, me tekst të Sabri Hamitit e regji të Martin Kočovckit, shkruan KultPlus.
Pamja e kësaj skene fillimisht vjen e mjegulluar, duke i lenë kështu të paidentifikuar personazhet e shfaqjes. Ata do të shfaqen më pas e jo dhe pak herë gjatë shfaqjes do të nisin në kor refrenin që nis me fjalët “Na duhet gjak”. Ata jetojnë në një tokë të djegur katër herë nga lufta e si e tillë qëndrojnë në plagët qindravjeçare. Në një vend ku kanë mbetur gjurmët e pashlyeshme të luftës, aty ku përditshmëria karakterizohet nga shtëpitë e djegura, fëmijë jetim e gra të përdhunuara. Në një vend në të cilin gjithçka merret si e mirëqenë, për ta përshkruar kështu masën amorfe në të cilën individët nuk kanë emra e as individualitet, një botë ku njerëzit janë shndërruar në numra përbrenda një jete virtuale, pa emocion, pa respekt e pa dashuri.
Dy vëllezër binjak qëndrojnë peng i një historie të pa rrëfyer për njëzetë vite, e në qendër të tyre qëndron nëna e tyre (Hana), e cila rrëfen vuajtjet për ta mbajtur gjallë familjen.
Regjisori i shfaqjes Martin Kočovcki tregoi për KultPlus se fillimisht ishte impresionuar nga teksti dhe kishte menduar që do të nxjerrë diçka të veçantë, por me kalimin e kohës e kishte kuptuar që teksti nuk ishte edhe aq i thjeshtë por gjatë punës me gjithë ekipin thotë se e kanë gjetur mënyrë për të sjellë diçka të veçantë.
“E gjithë shfaqja ka për qëllim të nxjerrë në pah se jeta jonë është si një rreth, ne jetojmë në kohë të paqes por gjithnjë shqetësohemi edhe për kohën e luftës. Le ta jetojmë kohën e paqes, le ta gjejmë atë që kemi brenda vetes dhe kështu mund t’i shtyjmë të këqijat që vijnë”, ishte mesazhi i regjisorit Kočovcki.
Loja e kësaj shfaqje u jetësua nga aktorët: ShkëlzenVeseli, Gresa Pallaska, Ard Islami, Arta Selimi, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi, Lumnie Sopi, Semira Latifi dhe Shengyl Ismaili.
Për regjisori Kočovcki, kjo është hera e dytë që punon me aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, por shfaqjet e tij kanë ardhur edhe më parë në Kosovë, gjë që ka bërë që disa nga aktorët të njoftohen me punën e tij. Ai tha për KultPlus se ndihet i kënaqur me punën e aktorëve të Kosovës dhe se ndihet i vlerësuar për ftesën që të punoj me ta.
“Përkundër që kam punuar në shumë vende të Ballkanit dhe Evropës, me sinqeritet e them se ansambli i këtyre aktorëve është një nga më të mirët, një nga tre ansamblet më të mira në Ballkan, andaj dhe e vlerësojë shumë që kam qenë i ftuar të punoj këtu me ta”, u shpreh regjisori Kočovcki.
Për aktorin Shkëlzen Veselin, kjo është hera e dytë e bashkëpunimit me regjisorin Kočovcki. Ai në këtë shfaqje e sjellë një nga rolet kryesore, atë të Ukit, një ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kalon nga mitologjia, si linjë e gjakut prej Mujës së mitologjisë e deri tek Uki. Ai tha për KultPlus se kjo shfaqje është një bashkëdyzim i mitologjisë dhe kohës moderne, aty ku ka ndodhur lufta e fundit. Ai krahas të tjerash gjatë shfaqjes ballafaqohet edhe me vëllanë, që për shumë vite e kishte konsideruar si djalë të tezës. Në këtë përballje ata kuptojnë se të dy janë të fiksuar pas të njëjtës femër.
Aktori Veseli tregoj se procesi i provave deri tek finalizimi i shfaqjes ka rrjedhë shumë mirë për kundër problemeve me hapësirën në Teatër, për shkak se kanë filluar edhe disa projekte të tjera, në të njëjtën kohë.
“Është një punë dy mujore e gjysmë, procesi ka qenë mjaft i mirë edhe për faktin se është hera e dytë që po punoj me Martinin . Të punosh me të është një ndjenjë shumë e mirë, pavarësisht lodhjes e ndjen dhe një kënaqësi për shkak se evoluon puna çdo ditë e më shumë”, tregoi aktori Veseli.
Regjisori Agim Selimi tha për KultPlus se kjo shfaqje ishte shumë e qëllueshme, ndërsa veçoi lojën e aktores Gresa Pallaska.
“Mendoj që ishte kapur thelbi i një lloj autobiografie dhe një lloj kalvari në të cilin kemi kaluar ne. Mendoj që edhe regjisori kishte arritur të krijoi një dramë prej dromcave skenike dhe ishte brilante Gresa Pallaska. Mendoj që është një shfaqje në të cilën dominoj, pa lënë anash edhe lojën e aktorëve të tjerë”, tha regjisori Selimi për KultPlus.
Repriza e parë e kësaj shfaqje vjen sonte më 20 mars, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com