25 Prill, 2018 - 1:10 pm
Shfaqja “Peer Gynti nga Kosova” e autorit Jeton Neziraj dhe me regji të Agon Myftarit, do të jetë pjesë e Festivalit “Schöne Aussicht” që organizohet nga teatri “Junges Ensemble” në Stuttgart të Gjermanisë.
“Peer Gynti nga Kosova“ do të shfaqet me 9 maj nga ora 19:00 dhe me 10 maj, në mëngjes nga ora 10:00.
“Schöne Aussicht” është njëri nga festivalet më prestigjioze të teatrit në Gjermani. Ai ka karakter ndërkombëtar dhe sivjet pos shfaqjes nga Kosova, do të prezentohen edhe dhjetra shfaqje nga Gjermania dhe vende të ndryshme të botës.
“Peer Gyntinga Kosova” është prodhuar nga Qendra Multimedia dhe ka pasur premierën në maj të vitit të kaluar. Në të luajnë aktorët: Bujar Ahmeti, Donikë Ahmeti, Shpëtim Selmani dhe Tristan Halilaj.
Skenografinë e shfaqjes e ka punuar Nicola Minssen, kostumet nga Yllka Brada, kurse kompozimin muzikor Gabriele Marangoni. Dramaturg i shfaqjes ka qenë Stefan Schletter.
“Peer Gynti nga Kosova” është rrëfim për një ëndërr të dështuar. I udhëhequr nga një shpresë e thjeshtë për jetë më të mirë dhe për të gjetur lumturinë, Peeri i ri, para luftës në Kosovë, niset për të kërkuar të ardhmen në ‘parajsën’ e quajtur Evropë. Ajo çka ndodhë me këtë të ri gjatë këtij udhëtimi reflekton eksperiencat e shumë desperadove të rinj të cilët çdo vjet, të mbushur me shpresë, lëshojnë atdheun e tyre. Shpesh, në atdheun e tyre të ri, të keqtrajtuar nga autoritetet, të izoluar dhe larg nga shtëpia, me mungesë perspektive dhe të mospërfshirë në shoqëri, atyre ëndërra u bëhet një makth i madh.
Në dëshirën e tyre për t’u pranuar ata shpesh biejn viktima të shokëve të këqinjë, të cilët ua ofrojnë “sigurinë e munguar”. Peer, personazhi kryesor i kësaj drame, e gjenë vehten të respektuar në një grup shqiptarësh të cilët ia tregojnë atij shkathtësitë kriminale dhe i garantojnë siguri. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ai shpejt bie në burg. Gjatë kësaj periudhe në burg, gradualisht fillon procesi i radikalizimit. Religjioni i jep atij kurajo, kuptim në jetë dhe ia forcon vetëbesimin. Këtu drama merret me një problem aktual në shoqëritë tona – radikalizimin religjioz të të rinjëve në burgje. Shumë nga këta të ashtuquajtur ‘luftëtarë të shenjtë’ nga Evropa, të cilët luftojnë në Siri, janë radikalizuar në burgje.
Por pavarësisht seriozitetit të temës, shfaqja asnjëherë nuk bëhet patetike apo didaktike. Në fund, publiku e lë shfaqjen jo vetëm i merakosur dhe kuptimplotë, por edhe i argëtuar në mënyrë perfektë.
“Publiku në shfaqje e ndjenë që ky Peer Gynt modern jo vetëm se dëshiron të tregoj një rrëfim autentik, por edhe të tregoj një rrëfim të vërtetë, si shembull për krejt shpresat për liri, për lumturinë dhe prosperitetin në Evropën e tanishme. Dhe për dëshpërimin.” [Frankfurter Allgemeine Zeitung]./ KultPlus.com