6 Prill, 2018 - 2:11 pm
Alberina Haxhijaj
Libretistja e parë shqiptare Ajmone Dhomi i ka dorëzuar sot rreth 7 mijë nënshkrime, kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, si dhe kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, në lidhje me kërkesën për ndërtimin e objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës, shkruan KultPlus.
Libertistja Ajmone Dhomi fillimisht ka treguar se kjo kërkesë ka ardhur pas neglizhencës që i ka bërë shteti kësaj çështje. Ndërsa kërkesa ka dy qëllime, ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës si dhe përshpejtimin e ndërtimit të këtij objekti.
“I tërë spektri i komunitetit artistik-muzikor, kosovarë dhe më gjerë, në veçanti anëtarët e Filharmonisë dhe Operës së Kosovës dhe Baletit të Kosovës që veprojnë në kushte sa për të mbijetuar dhe audienca e gjerë e artdashësve të muzikës së mirëfilltë artistike është në pritje të stërzgjatur të ndërtimit të këtij objekti me interes të veçantë kombëtar dhe shtetëror. Zvarritja e ndërtimit është pasojë e keqmenaxhimit të këtij procesi që në fillim, duke nisur që nga përcaktimi i lokacionit shumë të pavend”, është shprehur ajo, duke theksuar se shtëpitë operistike ndërtohen në qendra të qyteteve pasi që konsiderohen vlerë e krenari e një shteti me vlera demokratike.
Tutje ajo ka theksuar se trualli ideal për ndërtimin e këtij objektit është ish-godina e shtëpisë së mallrave “Gërmia”, në të cilën aktualisht vepron një pjesë e Administratës Tatimore të Kosovës.
“Është fat që ky objekt është në shitje nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit, prandaj, instancat përkatëse shtetërore duhet që ta kenë për obligim të rregullojnë çështjen e pronës dhe zëri e kërkesa e komunitetit artistik duhet që të merret parasysh. Po ashtu ky komunitet duhet që të jetë i përfshirë në çdo hap që do të ndërmerret”, ka përfunduar ajo.
Drejtori i Trupës së Baletit Ahmet Brahimaj si një nga institucionet përkrahëse të kësaj kërkese është shprehur se iniciativat e tilla baleti çdo herë do i përkrahë edhe pse është shumë skeptik në realizimin e tyre.
“Kjo punë është dashur që të përfundoj përpara 40-të apo më shumë viteve. Një vend si Kosova me një rini të shëndoshë e të aftë është dashur që tashmë të këtë një objekt të teatrit dhe operës. Pastaj, siç e dini edhe teatri jonë i dramës është i vogël. Por jemi çdo herë skeptik duke e njohur situatën tonë dhe njerëzit e politikës të cilët nuk i japin rëndësi kësaj punë”, është shprehur .
Kësaj kërkese i janë bashkëngjitur edhe nënshkrimet e rreth 7000 muzikantëve, artistëve dhe pedagogëve muzikor nga i gjithë territori i Kosovës duke përfshirë:
1. Dëshmitë e shumicës së enteve arsimore, muzikore, artistike, kulturore e shtetërore të cilat veprojnë në Kosovë.
2. Filharmonia dhe Opera e Kosovës
3. Baleti i Kosovës
4. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”
5. Shoqata e autoreve dhe interpretove të Kosovës “APIK”
6. Universiteti ‘Hasan Prishtina’-Fakulteti i Arteve
7. Universiteti “Haxhi Zeka”-Fakulteti i Arteve në Pejë
8. Kolegji AAB-grupi muzikor
9. Shkolla e muzikës në Gjilan
10. Shkolla e muzikës “Prenk Jokova” në Prishtinë
11. Shkolla e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë
12. Shkolla e muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren
13. Shkolla e muzikës “Halit Kasapolli” në Pejë
14. Shkolla e muzikës “Prenk Jokova” në Gjakovë
15. Shkolla e ulët e muzikës “Faik Sylka” në Rahovec
Ajmone Dhomi është libretistja e parë shqiptare dhe është autore e libretit të operave “Goca e Kaçanikut” dhe “Dasma Arbëreshe” të kompozitorit Rauf Dhomi./KultPlus.com