15 Dhjetor, 2024 - 5:30 pm
Mbrëmë përfundoi me sukses edicioni i katërt i festivalit “Uskana Fest”, për pesë net me radhë publiku kërçovar pati mundësi të shoqërohet me programin e pasur të festivalit “Uskana Fest” e cila solli poezi, teatër e shumë emocione te publiku, njofton Portalb.mk.
Drejtori i festivalit Rrahim Ramadani tha se edhe këtë edicion e përcollën shumë të lumtur dhe kënaqur.
“Numri i madh i publikut na jep ende më shumë entuziazëm për të punuar ende më fuqishëm për edicionin e ardhshëm. Pas maratonës pesë ditore të shfaqjeve që u shfaqën në skenën e Qendrës për kulturë në Kërçovë”, tha Ramadani.
Juria në përbërje të tre anëtarëve Merita Çoçoli, Arsim Fazlia dhe Zamira Kita vendosën që çmimin “Shfaqja më e mirë” t’ia ndajnë Teatrit Shqiptar në Shkup me shfaqjen “ Vdekja dhe Virgjëresha” nën regji të Afërdita Nuhijut.
Vdekja dhe Virgjëresha, e Teatrit Shqiptar të Shkupit mahniti dhe la pa frymë publikun artdashës të Kërçovës
Ideja origjinale dhe tematika e qëlluar me temë latinoamerikane dhe që refleksioni i saj ka të bëjë edhe me hapësirat pasleniniste-komuniste, ku diktatorët e mëdhenj me lehtësi zëvendësohen nga më të vegjlit dhe kanë shtruar rrënjët gjithandej.
Kronologjia e shfaqjes përmes lojës së shkëlqyer të aktorëve mbajti mbërthyer publikun përgjatë gjithë kohës sa u zhvillua shfaqja, duke ngulitur mesazhin se sakrificat për të dalë nga kthetrat e diktaturave të kalbura nuk është pa pasoja!…
Ky festival u mbështet nga Komuna e Kërçovës, Ministria e Kulturës dhe Turizmit të RMV, por edhe nga disa sponsor privat që ndihmuan shumë në realizimin e festivalit të vetëm të teatrove në Kërçovë./ KultPlus.com