8 Prill, 2024 - 4:00 pm
Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit, kujtoi sot aktorin Fadil Hasa, në 84-vjetorin e lindjes.
Fadil Hasa lindi në Krujë, me 8 prill 1940 dhe kreu gjimnazin “29 Nëntori” në Shkodër, ku u aktivizua në aktrim e për t’u bërë më pas i njohur si aktor me të dhëna të shprehura ndaj teatrit të varietesë, qysh me grupin e Estradës Amatore të Portit të Durrësit (1963-1970).
Falë aftësive të tij, në vitin 1970 u thirr si aktor profesionist në Estradën e Durrësit, ku punoi deri sa doli në pension, në 1993.
Gjatë karrierës së tij ka luajtur mjaft role në komedi me një akt, skeçe, parodi e pantomime, dialogje dhe forma të tjera të shkurtra të estradës.
Personazhet e shumta që Hasa ka sjellë kane marrë shumë vlerësime nga publiku.
Fadili ka shënuar emrin e tij edhe në kinematografi. Disa nga rolet e Hases janë filmat “Kronikë provinciale”, “Mao Ce Dun” & “Zëvendësi i grave”.
Fadil Hasa është nderuar 4 herë si “Aktori më i mirë i humorit”, gjithashtu me disa çmime kombëtare për kontributin e tij në fushën e aktrimit. Mbante titullin “Artist i merituar”. Fadil Hasa do të mbahet mend gjatë në kujtesën e publikut dhe artdashësve. U nda nga jeta me 16 korrik të vitit 2018. / atsh / KultPlus.com