Pesë karaktere brenda një shfaqje, Imer Kutllovci me premierë në Paris

28 Mars, 2019 - 2:49 pm

Në Teatrin “Étoile du Nord” të Parisit, më 4 prill do të prezantohet premiera e shfaqjes  “J’avait un pays autrefois”, ku në mesin e aktorëve, në këtë skenë do të ngjitet edhe aktori shqiptar Imer Kutllovci, shkruan KultPlus.

Imer Kutllovci ka njoftuar për KultPlus se kjo shfaqje që do të jepet premierë më 4 prill, dhe në repertorin e këtij teatri do të jetë deri më 13 prill, kurse përpos Kutllovcit, në këtë shfaqje luajnë edhe aktorët: Nicola Vial, Constance Gay, Andrea Nistor.

Kutllovci ka shpjeguar për KultPlus se regjisori Jean Christophe Blondel e ka bazuar këtë shfaqje në “21 scène de comédie” dhe romanin “Le Roi Pot”, të shkruara gjatë Luftës së Parë Botërore nga gazetari dhe filozofi Alain (Émile Chartie).

Alain “21 scène de comédie” e kishte shkruar në frontin e Luftës së Parë Botërore, ku përshkruan shoqërinë e asaj kohe, në formë e në thellësi, ngjashëm sikur do ta përshkruante më vonë Brecht në Luftën e Dytë Botërore.

“Nga këto dy tekste, regjisori në bashkëpunim me ne aktorët ka krijuar këtë shfaqje, që flet për pushtetin me shoqërinë, dhe për faktin se cili do të duhej të jetë raporti i shoqërisë me pushtetin, por edhe fuqinë e shoqërisë që mund ta ndryshojë pushtetin.

“Është një mundësi e mirë që nëpërmjet kësaj shfaqje të zgjojmë debat mbi paqen, Evropën, pushtetin, kapitalizmin, mediet…”, ka thënë Kutllovci, i cili ka njoftuar se e njëjta shfaqje më pas do të prezantohet edhe në qytetin Rouan.

Kutllovci në këtë shfaqje paraqitet në shumë karaktere si: mbretin, kapitenin, anarkistin, pastruesin dhe një ambasador. /KultPlus.com

Të ngjajshme