16 Janar, 2024 - 11:26 am
Një nga pianistët më në zë të momentit, në Itali dhe nga më të rëndësishmit në Evropë, Stefano Bollani, do të vijë së shpejti në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit.
Lajmin e dha drejtoresha e TKOB, Abigeila Voshtina, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilëson Bollani-n si një personazh eklektik, me një formim solid klasik dhe veprimtari të gjatë në jazz. Gjithashtu Stefano Bollani është kompozitor, krijues dhe prezantues televiziv. Ai ka interpretuar me Orkestrën Filarmonike “Filarmonica della Scala”, Gewandhaus të Leipzig-ut, Concertgebouw të Amsterdamit, Orchester de Paris dhe në disa raste me Orkestrën e Santa Cecilia, të drejtuar ndër të tjerë, nga James Conlon, Daniel Harding dhe Antonio Pappano.
Padyshim që ardhja e këtij pianisti të mirënjohur do të jetë një vlerë e shtuar për TKOB. Ky event do të realizohet me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Italiane në Shqipëri./atsh/KultPlus.com