30 Maj, 2024 - 10:30 pm
Pas shumë paraqitjeve pianistike brenda dhe jashtë Kosovës, pianistja e njohur Lule Elezi së fundmi ka mbajtur një koncert solistik në ambientet e hapura të Pallatit Aristokrat Mbretëror, Mala Wies Palace, përcjell KultPlus.
Këtë e ka bërë të ditur vetë ajo nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë me ndjekësit në rrjetin social Facebook.
”Para një audience të mrekullueshme kisha përjetime të rralla gjatë momenteve kur performoja në piano, ku gjatë gjithë performancës sime më shoqëronin edhe cicërrimat e zogjëve”, ka shkruar ajo.
Tutje, ajo shprehet e lumtur për performancën para një audience të madhe, ndërsa falënderoi kryetarin e Belsk Duzy të Polonisë, Wladyslaw Piatkowski.
Më poshtë gjeni postimin e plotë nga pianistja Elezi (pa ndërhyrje):
“Të dashur miq,
Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Belsk Dužy të Polonisë, z. Wladyslaw Piatkowski, isha e privilegjuar të mbajë koncert solistik në ambientet e hapura të Pallatit Aristokrat Mbretëror, Mala Wies Palace.
Para një audience të mrekullueshme kisha përjetime të rralla gjatë momenteve kur performoja në piano, ku gjatë gjithë performancës sime më shoqëronin edhe cicërrimat e zogjëve!
Falënderoj Kryetarin e Komunës z. Wladyslaw Piatkowski, Shkëlqesinë e Tij Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Poloni, z Drilon S. Gashi për përkrahjen e pakursyer, përfaqësuesit e Ambasadës së Shqipërisë në Poloni, si dhe dy shoqatat iniciatore të organizimit të koncertit, Poloni- Kosovë me kryetar Haxhi Dulla dhe Poloni- Shqipëri me kryetare Dorota Horodyska.
Faleminderit nga zemra dhe jam mirënjohëse për praninë e të gjithëve në këtë koncert mbresëlënës”. / KultPlus.com