16 Janar, 2018 - 10:02 am
Është një komedi e zezë në plot kuptimin e fjalës, sepse ndodhë në një ditë funerali, në një ditë kur familjarët e të vdekurës do të duhej të ishin duke mbajtur zi, por ata në atë ditë ata bëjnë gjëra të prapta, duke mos pasur pikë respekti për të vdekurën.
“Plaçkitësit”, është komedi e shkruar nga Joe Orton ndërsa me regji të regjisorit kosovar Ben Apolloni ajo jepet premierë sonte në Teatrin e Kumanovës, shkruan KultPlus.
Shfaqja jetësohet nga aktorët: Sefedin Shabani, Rabije Alilovska, Shkëlqim Islami, Ismail Kasumi, Qazmedin Nuredini dhe Beqir Nuredini.
Kjo komedi e mbushur përplot situata e batuta komike, në fakt është shumë e hidhur dhe fshikulluese për njeriun e kohës tonë i cili ka humbur të gjitha vlerat humane, vlera për të cilat gjithmonë është folur, por duket se kurrë nuk kanë ekzistuar në të vërtetë.
Asistent regjie i kësaj shfaqje është Ibër Deari kurse teksti është përkthyer nga Artu Lena. Skenografia nga Armend Ademi, kostumet Bjondina Abduli kurse për muzikën është përkujdesur Orhan Shaqiri.
Sonte më 16 janar me fillim nga ora 20:00, në Teatrin e Kumanovës, ju presin “Plaçkitësit”./ KultPlus.com