5 Shkurt, 2024 - 7:27 pm
Një pjesë e ekipit të shfaqjes ‘The Handke Project’ është sulmuar mbrëmë në Kukës nga policia e shtetit shqiptar derisa po ktheheshin në Kosovë nga qyteti i Firenzes, shkruan KultPlus.
Dramaturgu Jeton Neziraj, përmes një postimi në facebook, ka njoftuar se policia e shtetit shqiptar kishte mbajtur ekipin për mbi 10 orë sipas tij me dhunë e terror, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë.
Më poshtë është njoftimi i plotë i dramaturgut Neziri:
Artistët nga Kosova bëhen subjekt i dhunës policore në Shqipëri
Mbrëmë vonë u kthyem nga Firenze, ku e kishim luajtur shfaqjen tonë “The Handke Project”. Përgjatë rrugës për në Kosovë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, një pjesë e ekipit të shfaqjes jemi ndaluar në Kukës, ku jemi mbajtur me dhunë e terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar.
U mbajtëm për mbi 10 orë, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Përfundimisht, u lamë të lirë mëngjesin e sotshëm, pasi u sqarua se ishim arrestuar e mbajtur gabimisht.
Megjithatë e ndiejmë të nevojshme t’ju informojmë se gjatë kësaj aventure jo të këndshme, megjithëse kemi takuar e njohur punonjës policie të zellshëm, të sjellshëm, profesionalë e dashamirës, pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar. Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar.
U themi faleminderit edhe miqëve, kolegëve, përfaqësuesve të institucionev në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë atyre që janë shqetësuar e kanë bërë telefonata per të na kthyer në Kosovë sa më parë dhe krenarë, ashtu siç po ktheheshim nga Firence e Italisë, ku ishim dhe e shfaqëm me sukses shfaqjen ‘The Handke Project’ në Teatro di Rifredi atje.
Ekipi i shfaqjes The Handke Project./ KultPlus.com