13 Maj, 2019 - 1:16 pm
Në ditën e tretë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”, të dielën pasdite në qendrën “Multimedia” në Prishtinë , u diskutua mbi temën “Paralelni polis, një koncept disident që e bezdis të tashmen”, shkruan KultPlus.
Në këtë diskutim panelistët kanë folur për politikën, shoqërinë civile dhe rolin e kulturës dhe artit në politikë dhe shoqëri. Aty u bë krahasimi i politikës çeke me atë të kohës së Jugosllavisë. Paneli i diskutimit ishte i ndarë në dy pjesë, pjesa çeke e cila përbëhej nga shkrimtari Marek Sindelka nga Republika Çeke dhe akademikja gjermane e letërsisë çeke Alida Bremer, dhe pjesa jugosllave që përbëhej nga Lena Dorn nga Kroacia dhe publicisti Shkëlzen Maliqi.
Në këtë panel u shpjegua termi “Paralelni polis” dhe u tregua ndikimi që ka ky koncept mbi shoqëritë. Akademikja Alida Bremer, tha që ky koncept ka lindur në vitet 70-ta dhe 80-ta dhe struktura që janë krijuar nga ky koncept për qëllim kanë pasur të përdorin zbrastësira në shoqëritë socialiste.
“Paraleni polis është një koncept i cili ka lindur në vitet e 1970-80 nga disidentët ceko-sllovak dhe personi i parë që e ka formuluar ka qenë Basllav Benda i cili ishte filozof dhe matematikan. Ishte ideja e tij për të ndërtuar këto struktura paralele dhe këto struktura kanë pasur për qëllim të përdorin zbrastësira në shoqëritë socialiste, ai ka propozuar pesë fusha: kulturë, arsim, shkencë, ekonomi dhe informim. Pra qëllimi i tyre ka qenë krijimi i një shoqërie civile kritike e solidare nga institucionet institucionaliste” tha ajo.
Shkrimtari Marek Sindelka tha që edhe sot në Çeki mund të shohësh njerëz që përdorin pikërisht koncepte si të Bendës.
“Në 5 apo 8 vitet e fundit ka pasur ndryshim shumë të shpejtë të rrjedhjes së politikës ceke. Sot mund të shohësh shembuj të shumtë të shoqërive, këto grupe njerëzish politikisht të orientuar kryesisht janë grupe të djathtës ekstreme dhe tek to mundë të shohësh pikërisht konceptet si të Bendës edhe sot” tha Sindelka.
Lena Dorn tha që strukturat paralele në Kroaci nuk kanë qenë disidente me idenë e liberalizmit, por ato ishin disident me pozicione shumë nacionaliste.
Shembullin për “Paraleni polis” kosovar ne kohën e regjimit serb foli publicisti Shkëlzen Maliqi, i cili tha që në kohën e regjimit të Millosheviqit nuk ka pasur kushte që të krijohen shoqëri civile të cilat do të punonin për interesat e popullit.
“Në Kosovë në kohën e regjimit të Millosheviqit nuk ka pasur kushte për zhvillimin e shoqërive civile organike. Gjendja nuk ka qenë e mirë as në arsim, gjatë asaj kohe janë mbyllur edhe shkollat. Në Kosovë partitë politike janë krijuar nga viti 1989-90” tha Maliqi duke iu referuar asaj periudhe që ka kaluar Kosova, e që sipas tij ka qenë me shumë kthesa.
Në këtë debat është bërë diskutimi i përvojave në periudha të caktuara, të cilat janë vën në diskutimin e panelit të “Polip”. / Gzim Mujaj /KultPlus.com