24 Nëntor, 2018 - 2:18 pm
Janë bërë më shumë se dy vjet prej premierës së shfaqjes “Bordel Ballkan”.
Në prill të vitit 2017, qysh para premierës, autori i tekstit, Jeton Neziraj ishte kërcënuar me vdekje. Pas disa ditësh i ishte vënë flaka posterit të shfaqjes me regji të hungarezit András Urbán, shkruan sot Koha Ditore.
Vënia e zjarrit posterit të kësaj shfaqjeje, që pas 20 reprizave është kthyer prapë këtë vit në repertor, është përsëritur.
Pas mesnatës të së enjtes, posteri i “Bordel Ballkan” ka marrë flakë. Një gjë e tillë është vërejtur tek në mëngjesin e së premtes. Menaxhmenti i TKK-së menjëherë ka njoftuar Policinë e Kosovës.
“Rreth orës 10:00 të së premtes është hapur një rast zjarrëvënie në stacionin ‘Qendra’. Rasti ka ndodhur në sheshin ‘Skënderbeu’. Është djegur një pllakat reklamues i Teatrit Kombëtar të Kosovës”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Florije Ahmeti.
‘Bordel Ballkan’ është bazuar në dramën e Eskilit “Orestia”. E zhvendosur në një kontekst të ri ballkanik – ‘Bordel Ballkan’ flet për një lloj çoroditjeje morale e shpirtërore, nga i cili vuajmë në këto anë. Drama shpërfaq një lloj besimi të rremë, të cilin ia veshim vetes si një rrobe e vjetër, e pas së cilës fshihemi, si duke dashur të tregojmë që ne jemi zotët e fatit tonë, që ne jemi qenie të vetëdijshme. E përkundrazi, kjo dramë, në tërësinë e saj, na dëshmon të kundërtën: që në neve gjendet një kod i thellë shkatërrimtar, për të cilin ne, kokëfortësisht, nuk jemi të vetëdijshëm. Autor: Jeton Neziraj, Regjisor: András Urbán
Aktorët:
Astrit Kabashi,
May-Linda Kosumoviq,
Adrian Morina,
Armend Baloku,
Semira Latifi,
Armend Smajli,
Shengyl Ismaili,
Arta Selimi,
Albulena Kryeziu-Bokshi,
Shpejtim Kastrati,
Ylber Bardhi,
Adhurim Demi
/ KultPlus.com