Preljocaj: Dasmat e motrave të mia më inspiruan që të bëj shfaqje me motive shqiptare (FOTO)

6 Tetor, 2017 - 7:49 pm

Ardianë Pajaziti
Fotografitë: Fahredin Spahija

Ai picrronte sytë përderisa mundohej të parafytyronte kohën kur kishte pas kontaktin e parë me ajrin e të parëve të tij, vendin prej nga edhe i ka rrënjët . Dashuria për Shqipërinë, shihej se sa me nostalgji e bënte të kthehej deri në kohën kur kishte vizituar vendlindjen e babait të tij, fshatin Vermosh të Shkodrës.

“Kanë qenë vitet e 90-ta kur kam vizituar për herë të parë Shqipërinë, përkatësisht fshatin ku ka lindur babai im”, rrëfente Preljocaj për atë përjetim, i cili në intervistën e dhënë për KultPlus, tregonte se si imagjinata para se të takonte këtë vend dhe ata njerëz, ishte shumë më e fuqishme se sa vetë momenti kur e kishte përjetuar.

Preljocaj, tashmë 60 vjeçar rrëfente se imagjinata për Vermoshin e babait të tij ishte shumë e fuqishme, por, sipas tij edhe kontakti i tij i parë me ata njerëz kishte magjinë e vet.
“Ishte e çuditshme se kur më ofroheshin njerëzit e atij vendi, unë kisha ndjenjën se ata njerëz i kisha njohur. Gjithçka në atë vend më dukej i njohur”, rrëfente balerini dhe koreografi Angjelin Preljocaj, në damarët e të cilit rrjedh gjak shqiptari.

Vizita e tij e parë në Shqipëri mbante edhe një peshë tjetër, pasi që, përpos Preljocajt që vizitonte vendin e të parëve, kjo vizitë shënonte edhe rikthimin e parë të prindërvë të tij, pas një periudhe shumë të gjatë.

I rritur nga dy prindër shqiptarë, por që asnjëri duke mos e sforcuar këtë ide me rrëfime të fuqishme, Preljocaj thotë se rrëfimet për Shqipërinë, për këngën, për vallen kanë ardhë shumë natyrshëm nga prindërit e tij. “Ndoshta edhe pse ishin rrethana të tjera, Shqipëria ishte e bllokuar dhe pikërisht për këtë fakt, prindërit e kanë sjellë Shqipërinë deri tek unë shumë natyrshëm”, thoshte ai, por duke kujtuar se prindërit e tij gjithmonë kanë qenë krenarë që janë shqiptarë.
Pikërisht duke udhëtuar nëpër rrënjët e tij, atij nuk i kujtohet të ketë zënë veten ndonjëherë duke kënduar ndonjë këngë shqipe, të cilën ia kanë treguar prindërit. Por, nëse jo me këngën, Preljocaj ka një fushë tjetër të kulturës shqiptare me të cilën patjetër të jetë puthitur, atë të vallëzimit.

Preljocaj, i cili në karrierën e tij ka mbi 50 shfaqje, të cilat kanë prekë të katër anët e botës tregon për KultPlus se si vallëzimi shqiptar ka pasë tek ai ndikim edhe në realizim të shfaqjeve. Se nëse kishte guxuar që ndonjëherë të fuste elemente të vallëzimit shqiptar në shfaqjet e tij të baletit, Preljocaj me një përgjigje të shpejtë e konfirmon me një Po.

“Kam vendosë elemente të vallëzimit shqiptar në shfaqjet e mia. Në një shfaqje, unë kam vendosë vallëzim shqiptar, elemente këto që janë vërejtë shumë edhe nga audienca. Dhe për një realizim të tillë kanë qenë inspirim dasmat e motrave të mia, të cilat janë martuar me traditë shqiptare”, ka thënë Preljocaj.

Por jo vetëm shfaqja e inspiruar nga dasmat e motrave të tij ka pasë motive shqiptare, pasi që Preljocaj ka thënë për KultPlus se motive të tilla vendosë herë pas herë në shfaqjet e tij,por që janë më të thella, dhe për tu vërejtur duhet të jetë një vëmendje më e madhe.

Vitet e 90-ta ishin vitet që shpeshtuan të rrahurat e zemrës për Angjelin Preljocajn,duke shënuar kështu njohjen e parë me Shqipërinë, kurse viti 2017 po shënon një emocion tjetër për artistin shqiptar, prekjen e Kosovës. Preljocaj për herë të parë ka shkelur tokën e Kosovës, ditën e enjte, qëndrim ky që do të mbyllet brenda pak ditësh.

Se pse u desh të priste kaq shumë për një vizitë të tillë, Preljocaj ka thënë se tek tashti ishte momenti dhe ftesa, pasi që, Preljocaj në mbrëmjen e së shtunës, do të prezantojë shfaqjen “Un Trait d’Union & Création 2017” , shfaqje kjo e cila për herë të parë do të puqë shpirtin artistik të Preljocajt me audiencën kosovare.

Se kosovarët janë duke e konsideruar një dhuratë këtë shfaqje të Preljocajt, edhe vetë ai është shprehur se është duke e ndjerë. Dhe pikërisht nga pritja e njerëzve për këtë shfaqje, Preljocaj, edhe pse me gjithë këtë karrierë mbi supe, është shprehur të jetë i rezervuar se nëse do ti plotësojë pritjet e publikut. Me një modesti të njëjtë flet edhe për punëtorinë që do të mbajë me balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, duke e quajtur edhe këtë mision si zhvillim të punës së tij.
Angjelin Preljocaj, i cili fillimisht është prezantuar me këtë shfaqje në Tiranë, tash në Prishtinë e më pas do të prezantohet edhe në Beograd, ka treguar për KultPlus se është në përgatitje të një shfaqjeje në Tiranë, shfaqje kjo që fillet e përgatitjes i ka tash e pesë vite. Kurse sa i përket Kosovës, edhe pse tashmë i është bërë një ftesë nga udhëheqësia e këtij institucioni, Preljocaj nuk e ka mohuar se ka një dëshirë të realizojë një shfaqje edhe këtu, por duke pas parasysh agjendën e tij të ngjeshur, ai ka thënë se nuk është në gjendje të konfirmojë një bashkëpunim të mundshëm.

Preljocaj, i cili gjithnjë e ka potencuar se është një fëmijë shqiptar, është ndalë edhe për lëvizjet e shumta që po i bën kohëve të fundit drejt Shqipërisë, dhe në atë se nëse shfaqjet apo rrënjët po e tërheqin. Ai ka thënë se vallëzimi është ai që e udhëheqë në të gjitha anët, por pa anshkaluar edhe rrënjët. “Unë më herët nuk kam ardhur në Shqipëri për shkak të rrethanave, Shqipëria ishte e mbyllur, kurse tashti është ndryshe”, ka thënë ai. Dhe krejt në fund, se nëse ndihej i lodhur pas një dite të gjatë, ai në gjuhën shqipe është përgjigjur me “pak’./KultPlus.com

Të ngjajshme