16 Mars, 2025 - 1:29 pm
Era Berisha
Baleti Kombëtar i Kosovës, një institucion që krijon artin e pakrahasueshëm të vallëzimit, së shpejti do të dhurojë premierën e radhës për këtë vit, “Deadline”. Brenda katër mureve të heshtjes kolektive, mblidhen balerinët të cilët i bëjnë ballë kohës dhe njëkohësisht i japin formë asaj. Muzika që hyn brenda shpirtit të tyre rreh vrazhdë si daullet që kërcasin me njëra-tjetrën. Balerinët shpalosin çdo herë një histori të pathënë, kreative dhe secila lëvizje e tyre simbolizon një kambanë për shikuesit. Të njëjtin rast do e gjejmë edhe brenda koreografisë së “Deadline” që po krijohet mjeshtërisht nga balerini Sead Vuniqi, shkruan KultPlus.
“Deadline”, koreografit Vuniqi, i ka ardhur si ide para shumë vitesh, duke reflektuar se sa shumë punë dhe presion ekziston për të sjellë lajmin te qytetarët dhe garën mes redaksive për të qenë më të lexuarat në vend. Njëkohësisht, shfaqja trajton vështirësitë e kohës së viteve 1930-1940 në krahasim me realitetin e sotëm. Në atë periudhë, gazetat ishin një pjesë thelbësore e jetës së qytetit, ndërsa sot ato janë në zhdukje. Në vendin tonë nuk ka më shtyp të gazetave si dikur, dhe kjo e ka bërë këtë temë për koreografin Vuniqi të rëndësishme për t’u trajtuar.
Titulli “Deadline” vjen si një metaforë për presionin, garën me kohën dhe për pasojat që vijnë kur ky afat nuk respektohet. Është një term që e përcakton qartë ritmin e shfaqjes dhe ndjesinë e urgjencës që ndiejnë personazhet. Dhe harqet e balerinëve besohet se do të shpojnë audiencën me precizitetin, ndjenjën e ankthit dhe veçantinë që e kanë. Trupat e tyre do të flasin nga një frymëmarrje në tjetër dhe ekuilibri i tyre do të shpalosë përherë një pyetje, një mendim dhe po ashtu nuk do mungojnë as shpalosjet e prapaskenave brenda gazetave në vend dhe kudo.
Koreografi Sead Vuniqi në një intervistë për KultPlus ka treguar se provat kanë filluar qysh më 10 shkurt me punë intensive, dhe gjithçka po shkon siç e kanë planifikuar. Ai uron që deri më 20 mars trupa të jetë gati para publikut për të sjellë diçka unike.
“’Deadline’ sjell tension, presion dhe emocion. Jo gjithmonë duhet të shkruhet vetëm për skandale, por ndonjëherë edhe për gjëra emocionale. Kjo reflektohet në mënyrën si zhvillohet historia brenda shfaqjes. Shfaqja përcjell emocione të forta duke treguar sakrificën dhe punën që bëjnë të gjithë brenda redaksisë. Përtej presionit dhe ritmit të shpejtë, ajo synon të tregojë përkushtimin e gazetarëve dhe përpjekjet e tyre për të sjellë të vërtetën”, ka thënë Vuniqi për KultPlus.
Qasja e Vuniqit ndaj koreografisë është e ndërtuar mbi një strukturë të ngjashme me një lojë matematikore – një rrjedhë e vazhdueshme, ku çdo skenë është e ndërlidhur me tjetrën në mënyrë precize. Ai ka eksploruar lëvizje që reflektojnë ngutjen, përplasjen dhe fragmentimin e vëmendjes, duke përdorur tavolina dhe karrige si pjesë organike të gjuhës koreografike.
“Shfaqja ka lëvizje të stilit bashkëkohor dhe mes neoklasikes, duke krijuar një ndërlidhje mes dinamikës së gazetarisë dhe shprehjes përmes trupit”, thotë ai.
Në anën tjetër, muzika nga Phil Von konsiderohet si një përzierje mes kohërave. Pra, përdoren pjesë të rikompozuara nga xhazi, tango dhe muzika e viteve 1930, të ndërthurura me tinguj bashkëkohorë për të krijuar një atmosferë që lëviz mes të shkuarës dhe së tashmes.
“Dua që publiku të ndiejë ritmin e shpejtë dhe presionin e vazhdueshëm, por edhe të vërejë lëvizjet e balerinëve që ndryshojnë herë pas here. Shfaqja ka një ndërthurje interesante mes pjesëve, duke krijuar një rrjedhë që e mban audiencën të angazhuar. Shfaqja ka shumë nuanca që flasin për kohën e viteve 1930, si nëpërmjet kostumeve që i referohen asaj periudhe, ashtu edhe në skenografi, e cila i kushtohet po asaj kohe. Do të ketë karrige lëvizëse, makina shkrimi të asaj periudhe dhe një estetikë që përpiqet të sjellë ndjesinë e një redaksie të asaj kohe. Lëvizjet po ashtu janë krijuar duke ruajtur frymën e asaj epoke, ndërsa ndërthuren me qasjen bashkëkohore”, shpalos Vuniqi për KultPlus.
Më 4 shkurt është dhënë premiera e shfaqjes “Hope” e para e BKK-së për këtë vit, dhe “Deadline” tashmë është shfaqja e dytë premierë. Koreografinë për dy shfaqjet e ka krijuar vetë Vuniqi, i cili thotë se “Hope” ka qenë një projekt shumë personal dhe emocional, që i erdhi nga nevoja për të shprehur një mesazh mbi luftën me sëmundjet dhe forcën njerëzore.
“Si pjesë e trupës, unë gjithmonë kërkoj të sjell diçka që jo vetëm sfidon kërcimtarët, por që gjithashtu ka një peshë emocionale dhe intelektuale për publikun. Inspirimi për një balet të ri shpesh vjen nga një ndjesi e fortë ose një temë që ndihem i detyruar ta eksploroj”, përfundon ai.
“Deadline”, një balet bashkëkohor nga koreografi Sead Vuniqi, na çon në botën magjepsëse të një redaksie gazete në kulmin e epokës së artë të shtypit – vitet 1920 në një metropol evropian. Përmes një gjuhe lëvizjeje dinamike dhe ekspresive, shfaqja pasqyron energjinë dhe përkushtimin e këtij mjedisi të gjallë, ku bashkëpunojnë gazetarë dhe fotoreporterë, gazetarë të rinj, një magnat i shtypit, punëtorë, stenografistë dhe sekretare.
Premiera e shfaqjes do të epet më 20 mars në sallën e Ateliesë, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, duke filluar nga ora 20:00.
Repriza e parë epët një ditë më vonë, më 21 mars./ KultPlus.com