24 Shtator, 2023 - 6:40 pm
Flonja Haxhaj
Më 30 shtator, Teatri Kombëtar i Kosovës, do të hapë dyert për sezonin e ri me premierën e shfaqjes ‘1984’. Përveç hapjes së sezonit të ri, kjo premierë shënon edhe një moment të jashtëzakonshëm për artin teatror në Kosovë, pasi do të jepet shfaqja e bazuar në një prej novelave ikonë të shekullit 20-të, ‘1984’, e autorit George Orwell, shkruan KultPlus.
Shfaqja ‘1984’ vjen në Kosovë e adaptuar posaçërisht për Teatrin Kombëtar të Kosovës nga regjisori francez, Igor Mendijsky, një bashkëpunim ky që do të sjellë në hapësirat e teatrit një kryevepër të përmasave botërore.
“1984” e George Orwell flet për një shoqëri të kontrolluar nga një qeveri autoritare që mbikqyr dhe kontrollon çdo aspekt të jetës së qytetarëve. Megjithatë, në interpretimin e regjisorit Mendjisky, fokusi i shfaqjes ‘1984’ do të jetë mbi historinë e dashurisë së çiftit protagonist, Winston dhe Julia. Një histori që ballafaqohet me fatin e tmerrshëm të shoqërisë së tyre.
Për adaptimin e novelës ‘1984’ për skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në një intervistë për KultPlus foli vetë regjisori Igor Mendjisky, i cili fillimisht tregoi zanafillën e këtij bashkëpunimi.
“Fillimisht, drejtori Kushtrim Sheremeti e ka parë punën time dhe ai ka kërkuar një shokut tonë të përbashkët që të na njoftojë dhe ashtu edhe bëri. Unë dhe Kushtrimi u njohëm dhe e patëm një diskutim se çka ka parë ai nga puna ime dhe më tha se dëshiron që unë të vij në Teatrin Kombëtar të Kosovës.Unë isha shumë i emocionuar për këtë ide dhe pas kësaj unë e pyeta se çfarë shfaqje mund të drejtoj unë dhe ai më tha diçka nga Orwell. Kushtrimi më tha se nga ajo çfarë kishte parë ai nga puna ime, ai mendonte se unë mund të bëj një adoptim të tillë me aktorët këtu”, tregoi Mendjisky, për të cilin, kjo është hera e parë që punon me një shfaqje në Kosovë.
Duke qenë se ‘1984’ nga George Orwell flet për një shoqëri ku një qeveri autoritare shikon dhe kontrollon gjithçka, Mendjisky thotë se fokusi i kësaj shfaqje do të jetë historia e dashurisë në mes të Winstonit dhe Julias, megjithatë, e gjithë ajo që trajton kjo novelë, nuk do të mungojë as në skenën e teatrit.
“Fokusi në këtë shfaqje do të jetë në historinë e dashurisë, ajo në mes të Winstonit dhe Julias, por e gjitha satira dhe parashikimi që e karakterizojnë këtë libër, janë gjatë gjithë kohës në këtë shfaqje. Mendoj që adaptimi flet për politikën, për fuqinë, për ligjin, për këtë histori dashurie dhe për faktin se pse Orwell vendosi të shkruajë novelën ‘1984’, sepse Orwell është po ashtu në këtë skenë, në këtë adaptim”, theksoi Mendjisky.
Regjisori francez nuk la pa përmendur edhe potencialin e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të cilët thotë se u është përshtatur kjo novelë më shumë se kujtdo tjetër.
“Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës janë të mrekullueshëm. Ajo që u them miqve të mi në Paris është se ky tekst, kjo novelë nuk do të ishte luajtur në këtë mënyrë në Francë. Ajo që nënkuptoj është se çka dini ju këtu, nga ajo që ju keni përjetuar nga lufta këtu është diçka që ju lidh më shumë me këtë novelë, më shumë sesa në Francë”, tha regjisori Mendjisky, duke nënvizuar ndërlidhjen e situatave në Kosovë, me ato që përmenden në këtë novelë.
Pavarësisht kohës së shkurtër të provave e shumë sfidave që përballet Teatri Kombëtar i Kosovës, Mendjisky thotë se beson se gjithçka do të realizohet me sukses dhe se publiku do ta pëlqejë këtë shfaqje.
“Shpresoj që publiku do ta pëlqejë sepse kur e shoh shfaqjen, e shoh si diçka shumë universale. Shpresoj që publiku do të dashurohet me shfaqjen dhe me historinë e Winstonit e Julias”, u shpreh Mendjisky për KultPlus.
Në shfaqjen ‘1984’, të adaptuar për Teatrin Kombëtar të Kosovës, aktores Flaka Latifi i është besuar roli i Julias, një prej roleve kryesore.
Në një intervistë për KultPlus, Latifi thotë se që në momentin kur i është dhënë ky rol, është ndjerë e lumtur dhe njëkohësisht edhe me përgjegjësi të mëdha mbi supe për të dalë sa më mirë që është e mundur.
“Julia është një nga protagonistet në veprën “1984” nga George Orwell. Ajo është një vajzë e re, plot jetë e gjallëri, intuitive e rebele e cila e njeh shumë mirë partinë. Që nga momenti i parë kur mora njoftimin se do jem pjesë e kësaj shfaqje dhe pikërisht që do të kem rolin e Julias, jam ndjerë e lumtur dhe njëkohësisht me pergjegjësi të madhe për ta portretizuar këtë rol sa më mirë. Rëndësi të veçantë ka poashtu sepse ‘1984’ në Kosovë po punohet për herë të parë, andaj trajtimi, puna dhe përkushtimi duhet të jenë maksimal në mënyrë që publiku ta kuptojë qartë dhe ta ketë ndjesinë e ‘1984’”, tha Latifi.
Ajo më tutje shtoi se kjo shfaqje është duke u punuar brenda një muaji. Megjithatë, pavarësisht kohës së shkurtës, Latifi thotë se të gjithë po bëjnë më të mirën duke punuar ndonjëherë edhe me orar më të zgjatur, vetëm për të pasur rezultate e performancë të sukseshme.
“Unë dhe roli i Julias kemi disa të përbashkëta të cilat më ndihmojnë t’i kem më të lehta edhe dallimet. Deri më tani mendoj se jam duke u mishëruar çdo ditë e më shumë me rolin, shpresoj që shfaqja në premierën e saj ta ketë Julian e Orwellit dhe aktoren e Mendjisky”, tha ndër të tjerash aktorja Latifi.
Pavarësisht kohës së shkurtër të realizimit të kësaj shfaqje, aktorët dhe regjisori Mendijsky po punojnë me ritme të shpejta. Për rezultatet e arritura deri më tani, Flaka Latifi meritat ia dedikon regjisorit, që sipas saj ka gjetur mënyrën e duhur për të punuar me secilin nga ta.
“Më pëlqen mënyra e punës së regjisorit, i cili në radhë të parë është i sinqertë me ne, është i hapur edhe për propozimet nga aktorët, punon dhe provon në skenë. Jam e kënaqur sepse kuptohem shumë mirë me të”, tha më tej Latifi, duke përmendur po ashtu se edhe bashkëpunimi mes aktorëve ka qenë i jashtëzakonshëm.
E për fund, Flaka Latifi tha për KultPlus se beson që qëllimi i regjisorit do të realizohet me sukses dhe audienca do ta pëlqejë këtë shfaqje.
“Shpresoj shumë që ata të cilët do vijnë ta shohin shfaqjen, të dalin nga teatri me citatin tim të preferuar nga George Orwell ‘Qëllimi nuk është që t’rrijmë gjallë por të mbetemi njerëzorë’”, përfundoi Latifi.
Edhe për aktorin Ylber Bardhi, të cilit në këtë shfaqje i është besuar roli i Winstonit, që po ashtu është një prej roleve kryesore, thotë se është një privilegj për të që është përzgjedhur të luajë këtë personazh kaq të rëndësishëm.
“Momentin kur e kam kuptuar që do të jem Winstoni kam pasur ndjenja të përziera sepse më është caktuar nje ‘barrë’ shumë e rëndësishme e shfaqjes. Rrallë të vijnë këto role në jetë. Besoj secili koleg i imi do të donte ta interpretonte personazhin e Winstonit”, u shpreh Bardhi.
Ai më tutje foli edhe për mbarëvajtjen e provave, të cilat kanë qenë goxha intensive, e tani janë pothuajse në përfundim meqë për pak ditë edhe do të jepet premiera.
“Bashkëpunimi me regjisorin ka qenë fantastik. Është një prej regjisorëve që kërkon shumë nga ty dhe nuk lejon të të ikë asnjë detaj. Jam shumë i lumtur qe jam pjesë e këtij projekti. Edhe bashkëpunimi me kolegët ka qenë shumë i mirë, duke qenë se kemi punuar edhe më herët bashkë dhe e njohim shumë mirë njëri – tjetrin”, tha mes tjerash Bardhi, duke shtuar se beson shumë që kjo shfaqje do të pëlqehet nga audienca dhe secili do të gjejë një pjesë të jetës së tyre në këtë shfaqje.
Ndërkaq, ju rikujtojmë që premiera e shfaqjes ‘1984’ e regjisorit Igor Mendjisky, do të jepet më 30 shtator në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Përveç Flaka Latifit dhe Ylber Bardhit në këtë shfaqje luajnë edhe aktorët e tjerë: Adrian Morina, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Shpejtim Kastrati dhe Xhejlane Godanci./ KultPlus.com