Premiera e shfaqjes  ‘Jermi: Kujtimesh të Lumtura’ – Kur teatri ringjall nostalgjinë në EtnoFest 2024”

13 Gusht, 2024 - 3:02 pm

Alisa Buzhala

Në ditën e tretë të Festivalit EtnoFest 2024, që po mbahet në fshatin Kukaj, u prezantuan një sërë aktivitetesh që mishëruan thellësinë e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke sjellë një përzierje unike të artit, muzikës dhe teatrit në një ambient që reflektonte traditat e lashta.

Ecuria e laboratorit punues mbi përgatitjen e shfaqjes “Etja” nga regjisori Mario Biagini po ecte mirë, tashmë aktorët kishin filluar të përjetësonin rolet e tyre. Aktorja Fiona Abdullahu, e cila është pjesë e këtij kasti, shpjegoi se kjo dramë trajton karakteret njerëzore dhe mënyrën se si ato përballen me limitet e tyre, duke krijuar një reflektim të thellë mbi natyrën njerëzore.

Ndërkaq, pika kulminante që e karakterizoi programin e ditës së tretë të festivalit ishte shfaqja “Jermi: Kujtimesh të Lumtura” e regjisorit Fadil Hysaj, e cila u dha premierë në amfiteatrin e kompleksit Kukaj. Kjo shfaqje risolli në kujtesë nostalgjinë për jetën e dikurshme përmes përshkrimeve të veglave tradicionale të punës dhe ritualeve të jetesës, siç është përgatitja e nuses kërçovare.

Performanca e aktorëve Sheqerie Bucaj dhe Shpëtim Kastrati mbushi skenën me një ndjeshmëri të veçantë, duke shfaqur në mënyrë të natyrshme dhe spontane momente nga jeta e kaluar dhe duke adresuar sfidat e asaj kohe, përfshirë trajtimin e nuseve në familjet tradicionale.

Çaste lumturie u interpretuan edhe në tregimet e rrëfyera si përgatitja e bukës në qerep si një ritual që ka sjellë gëzim, harmoni dhe mirëpritje në familjet shqiptare. Pjesë e shfaqjes ishte edhe paraqitja e momenteve të bukura të dashurisë, përmes kujtimeve mes dy personazheve. Kjo pjesë teatrale u gërshetua bukur nën shoqërimin e violinës dhe flautës.

Aurora Kabashi, e cila interpretoi në këtë shfaqje, theksoi se përfshirja e këngëve të vjetra shqiptare e bëri këtë paraqitje të veçantë dhe të dallueshme nga performancat e saj të zakonshme.

Po ashtu, nata e tretë u pasurua me një orë letrare të mrekullueshme, ku poetë të njohur si Primo Shallku, Vlora Konushevci, Vlora Ademi, Ilaz Hysaj dhe Halil Matoshi recituan vargjet e tyre për një publik të etur për fjalën e shkruar. Nën ndriçimin e pozicionuar në skenë, u krijua magjia e cila të dërgon në disa dimensione të tjera, ato të thellësisë së ndjenjave shpesh herë të fshehta, mbi dashurinë, sekretin, pritjen dhe mallin të ndërtuar mbi kujtime të lumtura.

Ashtu si edhe tashmë vizitorët dhe mysafirët janë mësuar në netët e destinuara për t’a ndjerë lirinë e kënaqësisë së festivalit, nata e tretë u përmbyll me performancën e “Melodisë së Vjetër”, e cila u rikthye edhe këtë vit në EtnoFest, pas mirëpritjes dhe dashurisë së publikut ndaj këngëve të kënduara nën melodinë unike të zërit të Nezafete Shalës.

Ndërkaq, dita pasuese e festivalit të artit dhe kulturës, më 13 gusht, do të ketë në fokus gastronominë shqiptare, performancë etno-ansambli si dhe muzikën bashkëkohore të ndërthurur me këngët e vjetra të prezantuara nga grupi “Don’t Listen to Your Neighbors”.

EtnoFest 2024 vazhdon të mbetet një ngjarje e veçantë në skenën kulturore të Kosovës, duke bashkuar artistë dhe adhurues të artit nga e gjithë bota. Me programacionin e përgatitur, festivali do të ofrojë edhe më shumë ngjarje të veçanta, duke vazhduar të promovojë dhe ruajë pasurinë kulturore shqiptare./ KultPlus.com

Të ngjajshme