16 Dhjetor, 2017 - 9:21 am
Drama “Në lindje të Berlinit” vepër shkruar nga Hannah Moscovitch me regji të Milto Kutalit vjen sonte premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Në role publiku do të gjejë emra të njohur të vlerësuar të teatrit, por dhe të rinj që janë pjesë e kësaj drame, që sonte ka premierën për të vijuar dhe net të tjera për publikun.
Rolet në vepër regjisori Kutali ia ka besuar aktorëve Arben Derhemi, Ahmet Pasha, Ina Morina dhe Blendi Arifi, dhe shfaqja do të jetë në sallën e re Gëte. Shfaqja teatrore ngjitet në skenë me pjesëmarrjen e aktorit të shquar Ahmet Pasha, që luan rolin e një ish mjeku të kampit të Aushvicit, rolin e Rudit e luan Arben Derhemi.
Mëkatet e etërve nazistë do t’i sjellin të përjetuara në dramë dy aktorët Blendi Arifi dhe Ina Morinaj. Regjisori i njohur Milto Kutali tregon se kjo vepër ka vlera edukative. “Mua jo vetëm në këtë vepër, por në disa prej punëve të mija më shqetëson problemi për gjeneratën e re. Kjo dhe për faktin, sepse dhe vetë fëmijët e mi por rriten, dhe e dyta si një njeri që kam gati 30 vjet që jap mësim në Universitetin e Arteve më shqetëson dhe mendoj se duhet të jap kontributin tim për edukimin e kësaj gjenerate. Kjo vepër ka vlera edukative.
Sigurisht për të mos shkuar në atë që thuhet në këtë vepër, që mëkatet e etërve i paguajnë fëmijët. Padyshim që kjo është një thirrje për çdo prind që duhet medoemos ti lërë një trashëgimi sa më të kulluar fëmijëve të tij. Asnjë nga ne nuk mund të jetë steril, por mundësisht ti lërë fëmijëve sa më pak gabimet të veta, gjë që do të shërbejë për të ardhmen e këtyre fëmijëve”, pohon regjisori Kutali. Vepra, e cila sonte ka premierën në skenën e teatrit ka qenë një nga projektet që vjen në vijim të bashkëpunimeve që ka regjisori Kutali dhe aktori Arben Derhemi.
Drama në skenë
Vepra merr zanafillën nga një adoleshent 17 vjeçar, që i ati i tij ka qenë mjek dhe ka eksperimentuar me të burgosurit çifutë në kampin e përqendrimit të Aushvic. Regjisori Kutali tregon se pikërisht këtu fillon dhe drama. “Ai ka ndërtuar një simbol të mrekullisë për babain e tij, por t’ia rrëzosh këtë kala me dy apo tre argumente siç ia bën një shoku i tij sigurisht që për një 17 vjeçar është dramë madhe. Kjo është arsyeja që unë zgjodha një vepër të tillë, sepse dhe Shqipëria ndodhet në një udhëkryq sepse ka 27 vjet që ka kaluar në një sistem tjetër politik shoqëror, pra në demokraci por ende nuk po bën asgjë për ti mësuar historinë e vërtetë gjeneratës së re. Vitet e komunizmit te ne për gjeneratën e re pothuajse nuk është e njohur fare nuk jepet asnjë informacion”, pohon regjisori Milto Kutali për dramën, që ka sjellë në skenë e teatrit dhe aktorin e njohur Ahmet Pasha.
Regjisori vijon se në Shqipëri flitet në përgjithësi për diktaturën por nuk ka një institucion të kujtesës. “Jo vetëm që mungon një institucion si duhet i kujtesës, por dhe një institucion tjetër të mos-harresës për atë që ka ndodhur me baballarët tanë në ato vite dhe për ne vetë. Sistemet ikin dhe vijnë, por diktaturat kanë po të njëjtën fytyrë”, shton më tej regjisori. Kritikat e tij si krijues shkojnë dhe për shoqërinë civile në Shqipëri, që duket ka qenë neglizhente ndaj asaj kohe të diktaturës, shkruan Sot Neës. “Shoqëria civile shqiptare unë e them hapur që për të ngritur këto problematika ajo nuk bëhet kurrë e angazhuar. Shpeshherë ne e çojmë individin drejt vendimeve ekstreme, sepse kjo shoqëri civile se thotë fjalën e saj dhe nuk merr përsipër ky opinion publik të ndërtojë institucionin e vet”, cilëson mes të tjerave regjisori Milto Kutali.
Ngjarjet zhvillohen në dy vende në Paraguaj, që janë vendet e Amerikës Latine, ku gjetën strehë oficerët nazistë të Hitlerit pas Luftës së Dytë Botërore dhe në Gjermaninë e 20 viteve më vonë. Drama do të shfaqet në sallën e re Gëte ora 19:00 në datat 16-17-19-20-21-22-23-24-26-27-28 dhjetor në skenën e Teatrit Eksperimental./ KultPlus.com