Prezantohet projekti fitues për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, Ministri Çeku: Kryevepër arkitektonike që lartëson kryeqytetin

3 Shkurt, 2025 - 6:36 pm

Sot, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka prezantuar projektin fitues për ndërtimin e Teatrit, Operës dhe Baletit  të Kosovës, shkruan KultPlus.

Projekti fitues i ndërtimit të Teatrit, Operës dhe Baletit me vlerë 2 milionë e 450 mijë euro, i cili pasqyron siluetën e veshjes së xhubletës është ideuar nga arkitekti Bjarke Ingels, dhe përmban katër auditoriume me kapacitet prej 300 deri në 1200 ulëse.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku  në ceremoninë e nënshkrimit të projektit fitues për Teatrin e Operës dhe Baletit ka thënë se kjo ditë shënon një ditë historike për artin dhe kulturën në vend.

“Unë ndjehem jashtëzakonisht i nderuar dhe kam kënaqësinë të shpalos para jush një nga arritjet kulmore të Qeverisë së Republikës së Kosovës në vitet e fundit, prezantimin e projektit fitues të Teatrit, Operës dhe Baletit të Republikës së Kosovës, një kryevepër arkitektonike që lartëson kryeqytetin tonë, Prishtinën, në peisazhin global të Arkitekturës dhe të Kulturës. Kjo ndërtesë do të jetë shtëpia e të paktën katër institucioneve me rëndësi të veçantë në ekosistemin tonë kulturor dhe njëherit dëshmi e përkushtimit shtetëror për përkushtimin e kulturës në vendin tonë”, ka thënë Ministri Çeku.

Ai më tej ka shtuar se ky projekt vjen në një moment shumë të veçantë për institucionet e Kulturës, pikërisht në kohën kur po ndërmerren hapat e parë transformues që synim kanë ndëtimin e institucioneve të forta kulturore me kapacitete të fuqizuara njerëzore, e me programe artistike në linjë me trendet bashkëkohore.

“Teatri do të përmbajë katër auditoriume me kapacitet nga 300 deri në 1200 ulëse, ndërsa në spektrin urban krijon një faqe të re spektaklare të qendrës së qytetit. Po ashtu do të ofroj parkingun nëntokësor në funksion të unazës së brendshme të qytetit me kapacitet me mbi 400 vendparkime. Ndërsa gjithashtu do të pasurojë brezin kulturor që bashkon qendrën e qytetit me lagjen Arbëria.

Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt të ardhmes së ndritur për fushën e kulturës me një vizion që do ta shëndrrojë Prishtinën në Qendër të Artit Skenik. Pres me padurim hapjen e parë të perdeve të këtij teatri për të shënuar dekada të rezistencës dhe përkushtimin e pakompromis për të shkëlqyer e shërbyer audiencës së vendit tonë. Urime të gjithëve dhe suksese në këtë rrugëtim sfidues por edhe shumë të veçantë për të gjithë ne” ka thënë Ministri Çeku.

Ndërsa Arkitekti, Bjarke Ingels derisa prezantoi projektin në detaje, ka thënë se ndihet i nderuar që i është besuar krijimi i këtij projekti me rëndësi të madhe për artin e Kosovës.

“Jam shumë i nderuar që më është besuar përgjegjësia që t’i jap formë të ardhmes së artit në Kosovë. Në fakt Kosova dhe shqiptarët e Kosovës janë njerëz që kanë ndikim të madh kulturor në artet perfomuese, shumë përtej kufinjve të vendit të tyre. Në fakt nuk është hera e parë që punoj për shqiptarët e Kosovës”, ka thënë ai.

Sfidë për të ka qenë krijimi i një shenje dalluese për artet perfomuese në Prishtinë, ku ridefinohet identiteti kulturor i Kosovës, me qëllim të ngris praninë artit shqipar në skenën ndërkombëtare.

“Do të jetë e hapur me pamje të tillë, duke e paraqitur shëmbëlltyrën e xhubletës, veshjes kombëtare. Kemi shikuar një familje të xhubletave ta kombiojmë me pamjen e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në këtë ftesë, këtë thirrje të hapur. Xhubleta edhe ashtu ka një pamje shumë arkitektonike, me këto shtresa horizontale që paraqesin perimetrin duke krijuar këtë gjest elegant pa përpjekje fare. Kemi meduar se si mund të kombinojmë krijimin e një simboli të ri kombëtar me ndërtimin e shtëpisë për artet performuese të klasit botëror. Pra të jetë një shenjë dalluese akitektonike, por edhe të jetë një ambient vibrant përfshirës dhe në fund të jetë e rrënjosur në trashëgiminë arkitektonike me pamje të xhubletës të kombinuar me teknologji dhe inovacion”, ka thënë arkitekti Ingels.

Objekti i Teatrit të Operës dhe Baletit pritet të përfundojë për 15 muaj, ndërsa zbatimi fillon në vitin 2026./ KultPlus .com

Të ngjajshme