29 Tetor, 2019 - 4:00 pm
Edicioni i tretë i festivalit të vetëm ndërkombëtar të teatrove në Kosovë, tashmë ka hyrë në fazën finale të përgatitjeve.
Nga data 4-9 nëntor 2019, në dy skenat e Teatrit AAB “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, do të ngjiten shtatë trupa artistike në programin konkurrues, të cilat vijnë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria e Kroacia.
Programit garues të këtij edicioni do t’i paraprijë shfaqja nikoqire, prodhim i Teatrit AAB, “Bretkosa”, në regji të Burbuqe Berishës, e cila do të jepet jashtë programit garues, në natën e 4 nëntorit.
Edicioni i tretë i PITF2019 vjen më i veçantë nga ana vizuale për shkak të brendingut. Hyjnesha në fron, që është simbol i këtij festivali ndërkombëtar, këtë vit vjen me një lule Irisi në kokë.
Sikur edhe në edicionet e mëhershme, ajo që e dallon PITF, përveç programit ndërkombëtar, është edhe programi përcjellës në mbrëmjet pas shfaqjeve, ku të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësi të argëtohen nga bende e artistë të ndryshëm.
Festivali do të ketë dy lloj biletash: festival pass që do të jetë e vlefshme për të gjithë programin dhe biletat e veçanta për shfaqje. Studentët do të kenë prioritet pasi biletat do t’u ofrohen me çmime speciale, ndërsa po ashtu edhe transporti nga qyteti në kampusin e Kolegjit AAB do të jetë gratis për të gjithë vizitorët. / KultPlus.com