23 Korrik, 2024 - 6:18 pm
Edicioni i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur- PRIZREN FEST, po vazhdon të shfaqë programin e tyre shumë të pasur artistik.
Sipas njoftimit nga festivali, emocione e gjallëri po i japin Sheshit të Lidhjes së Prizrenit dhe Shatërvanit dy produksionet, njëri nga Spanja dhe tjetri nga Maqedonia e veriut.
“EKSCENTRIKËT dhe TEATROSK, me performimet e tyre në rrugë po i mahnitin qytetarët të cilët janë të shumtë që po argëtohen nga ata.
Mbrëmë Teatri Shqiptar i Shkupit në PRIZREN FEST u prezantua me shfaqjen “ADN”, shfaqje e cila përpos lojës e mrekullueshme të artistëve nga Shkupi, njëkohësisht përmbante porosi universale për rrezikun e vazhdueshëm në shoqëritë e rrethuara me kërcënime ekzistenciale”, thuhet në njoftim.
Shfaqja tjetër në PRIZREN FEST ishte nga Teatri “Bekim Fehmiu”, “AUDIENCA” nga Václav Havel që trajton temat e autoritarizmit, burokracisë dhe cenzurës kundrejt dinjitetit njerëzor dhe rezisencës qytetare në shoqëritë totalitare.
“E këtë më së miri e sollën tek publiku aktorët me interpretimin e tyre brilant”, u tha tutje në njoftim.