27 Korrik, 2023 - 11:24 pm
Në kuadër të edicionit të dytë të Festivalit të Teatrit, Prizrenfest, është mbajtur konferenca teatrore e organizuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Kombetar Tiranë dhe Teatri Shqiptar Shkup në bashkëpunim me PrizrenFest.
Konferencën e moderuan Kushtrim Sheremeti, drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës; Altin Basha – drejtor i Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe Adem Karaga – drejtor i Teatrit Shqiptar të Shkupit, me temë diskutimi: “Bashkëpunimi ndërmjet teatrove shqiptare – sfidat, mundësite dhe përparësitë”. Në këtë konferencë një ditore, morën pjesë artistë dhe përfaqësues të institucioneve teatrore shqiptare nga të tre vendet.
Ndër të tjera u shpalosën edhe detaje të Marrëveshjes për bashkëpunim teatror të nënshkruar rishtazi nga Ministrat e Kulturës, Hajrullah Çeku dhe Elva Margariti.
Ne fund të konferencës u miratua dhe një dokument me një listë të rekomandimeve që do të quhen, “Rekomandimet e Prizrenit” i cili do t’i dorëzohet ministrave të kulturës të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut./KultPlus.com