8 Korrik, 2022 - 3:42 pm
‘PrizrenFest’, festival ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur do të përçojë tek ju drejtpërdrejt magjinë e emocionit të këtij festivali.
Edicioni i parë i festivalit i organizuar nga artistë elitë të vendit tone, është nën patronatin e kryetarit të komunës, Shaqir Totaj.
Prej datës 31 korrik deri më 4 gusht, Prizren Fest sjell artistë nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës si: Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Turqia, Italia, Rumania dhe Franca.
Kësaj liste i shtohen edhe shumë artistë dhe profesionistë të artit vendor, të cilët do të qëndrojnë në Prizren gjatë gjithë festivalit.
Për 5 ditë nga 31 Korrik- 4 Gusht, Festivali ndërkombëtar i Teatrit PrizrenFest, me një program të veçantë, do të mbahet në vendet më të bukura të trashëgimisë sonë si: Kino Lumbardhi, Kalaja e Prizrenit, Lidhja e Prizrenit, Kino Plato dhe Sheshi i lidhjes së Prizrenit.
Në natën e hapjes së festivalit më 31 korrik, prej orës 21:00, në Kalanë e Prizrenit, do të prezantohet teatri nacional i Bosnjës me shfaqjen e regjisorit të njohur Dino Mustafiq. / KultPlus.com