6 Shkurt, 2021 - 3:55 pm
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e teatrit bashkiak të Gjirokastrës.
Gjatë një turi të zhvilluar sot në jug të vendit, Rama pa edhe punimet që po kryhen në këtë teatër, në të cilin nuk ishte investuar që prej vitit 1970 kur ishte ndërtuar.
Kreu i bashkisë së Gjirokastër, Flamur Golemi informoi se punimet për rilindjen e teatrit bashkiak të Gjirokastrës nisën në dhjetor të vitit që lamë pas dhe deri tani janë kryer 45% e vëllimit të punimeve.
“E keni cilësuar frigoriferi i qytetit. Teatri ka përfunduar në vitet ‘70 dhe nuk është bërë asnjë investim, përkundrazi janë zënë edhe hapësirat përreth. Me një investim prej 12 milionë lekësh nga bashkia e qytetit dhe 36 milionë lekë nga JACA ne bëmë të mundur ndërhyrjen përmes një projekti të hartuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në vitin 2017. Do të ketë ndërhyrje rrënjësore, pasi godina kishte dëmtime edhe strukturore, por edhe në hapësirat përreth teatrit. Teatri pritet të jetë gati brenda 2-3 muajve”, deklaroi Golemi.
Projekti parashikon rivitalizimin e gjithë hapësirës duke krijuar edhe një shesh publik, duke qenë se i mungon qytetit. /ata/ KultPlus.com