29 Prill, 2025 - 12:31 pm
Vjollca Duraku
Mbrëmë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës është dhënë premierë shfaqja mysafire “Provinca”, me regji të Ard Islamit, shkruan KultPlus. Shfaqja komedi satirizon me politikën dhe shpërfaq sfidat infrastrukturore teatrale duke filluar me kryepersonazhin që paraqitet me disa role: si drejtor i teatrit, regjisor, punëtor teknik etj.
Drejtori i Teatrit (Butrint Lumi) i cili edhe pse në krye të institucionit për rreth 20 vjet, nuk ka as përvojën më të vogël në teatër, kërkon nga një artist krijmin e një shfaqjeje, që në fakt nuk ka të bëj me të bërit art, por sa për të arsyetuar projektin që i është dhënë nga Ministrja e Kulturës- familjare e drejtorit.
“Provinca” jep modelin e një teatri jo funksional nga qendra të tjera të Kosovës, në krye të të cilëve shpesh gjenden persona jo kompetent, që uzurpojnë institucionin për vite me radhë, duke kontrolluar çdo gjë. Aktorët që janë amatorë, tentojnë të ndjekin trendet e kryeqendrës. Igballja (Blerina Veseli) dhe Eminja (Venera Bojaj) paraqiten si vajza rebele të cilat kanë dëshirë të ndjekin ëndërrën e tyre për tu bërë aktore, përkundër paragjykimeve dhe keqkuptimeve që ekzistojnë për artistët.
Ndërkaq, Dini- i biri i drejtorit, i cili nuk ka luajtur shfaqje që nga viti 2003, e ka të vështirë përshtatjen në prova. Punëtori teknik (Fatmir Haliti) vendoset si aktor kryesor në shfaqje, si shkak i mungesës së aktorëve. Gabimet e tij në aktrim si dhe shndërrimi i tekstit në formë të pyetjeve nga ana e Dinit i japin tension regjisorit të shfaqjes (Agan Asllani), duke e detyruar të heq dorë nga projekti. Ai e detyron veten t’i kthej drejtorit 12 mijë euro, nga 10 mijë sa ka kushtuar teksti.
Shfaqja “Provinca” është një pasqyrë e guximshme e jetës politike dhe sociale, e mbushur me personazhe që shpërfaqin gjendjen reale sa i përket politikës si akteri kryesor në jetën e shoqërisë, sfidave të teatrit, nepotizmit, banalitetit, injorancës dhe antivlerës.
Në fund të shfaqjes, në një prononcim për KultPlus, aktori Butrint Lumi ka thënë se regjisori në një mënyrë mjeshtërore ka trajtuar sfidat e teatrove dhe institucioneve kryesore të kulturës në vend.
“Teksti tregon në njëfarë forme realitetin e teatrit, infrastrukturën teatrore dhe gjithçka që ndodh në Kosovën tonë të dashur, dhe ndoshta edhe problematikat që rishfaqen çdo herë për artistët e rinj dhe për regjisorët. Trajtohet edhe gjendja e një regjisori i cili e posedon një tekst për vite me radhë, e që dëshiron ta vë në skenë, që fatkeqësisht rastis të punojë në ndonjë teatër ku nuk i ofrohen kushtet. Trajtohen edhe problemet e udhëheqjes së atij institucioni. Është një shfaqje në një lloj proteste. Mund ta quaj që është edhe protestë për gjendjen aktuale të disa teatrove në Kosovë. Ardi shumë mirë ka ditur ta plasoj atë problem që është duke ndodhur në Kosovë dhe në teatrot e qyteteve të tjera”, ka thënë aktori Lumi.
Me këtë rast, Aktori Lumi iu ka bërë thirrje institucioneve lokale dhe qendrore të kthejnë fokusin edhe në qytetete të tjera, pasi perspektiva e artit skenik qëndron vetëm në Prishtinë.
“E tërë vëmendja e artit dhe e artistëve është në Prishtinë, sikur institucionet tona të bënin diçka më shumë që të aktivizohen të gjithë teatrot e qyteteve nëpër gjithë Kosovën, të investohet nëpër teatrot e qyteteve, të hapen vende pune për aktorët. Akademia prodhon çdo vit aktorë të rinj, mirëpo sa prej tyre po punësohen. Ndodh që në një teatër me vite të tëra nuk hapet ndonjë audicion, shtrohet pyetja ku mbesin këta aktorë. Ky është problemi se definitivisht në teatrot e qyteteve, madje në shumicën e qyteteve nuk ka teatër fare. Andaj kjo shfaqje trajton sfidat e artit skenik. Në shfaqje u pa që teatrin e udhëheq dikush që as se ka idenë për punën në teatër, thjeshtë duhet të arsyetojë projektin. Prandaj i ftoj të gjithë të vijnë ta shohin shfaqjen. Gjithashtu i ftoj edhe institucionet tona qoftë lokale, qoftë qendrore që të kthejnë fokusin edhe në qytete të tjera, sepse tërë fokusi qëndron në Prishtinë. Këtu është problematika dhe dhembja më e madhe, sepse shumica e aktorëve janë pa punë”, ka thënë aktori Lumi, duke e potencuar edhe përvojën e jashtëzakonshme me kolegët e skenës.
“Për mua ka qenë kënaqësi të jem pjesë e kësaj shfaqje dhe këtij produksioni për shkak se kam qenë mysafir. Ka qenë kënaqësi shumë e madhe për të punuar me një ekipe të jashtëzakonshme. Kemi punuar rreth një muaj e gjysmë me prova intensive për këtë shfaqje. Premiera ka qenë në Teatrin e Qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë, kjo sonte në Teatrin Kombëtar është reprizë. Ne jemi ndier jashtëzakonisht mirë që publiku na ka pritur shumë mirë. Është kënaqësi e madhe edhe për ne aktorët ka publik dhe shfaqja mirë mirëpritet”, ka përfunduar aktori./ KultPlus.com