Publikohen dokumente dhe fotografi nga Arkivat e krijimit të TKOB

16 Shtator, 2021 - 12:06 pm

Pas një mungese për shkak të rikonstruksionit total, dje erdhi mbrëmja gala e hapjes së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, përcjell KultPlus.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli me këtë rast të dhëna dhe dokumente interesante nga historiku i këtij institucioni unik në vend.TKOB është vendosur në ndërtesën e Pallatit të Kulturës në vitin 1966, ku vazhdon të jetë edhe sot.

Mbetet tempull i muzikës së kultivuar shqiptare dhe ndërkombëtare. Ka prodhuar breza artistësh, të cilët kanë bërë epokë në skenën tonë.Por historia e TKOB fillon në vitin 1950, vit në të cilin u krijua Filarmonia shqiptare.

Arkivat sjellin me rastin e inaugurimit të sotëm, vendimin e Këshillit të Ministrave, mbi ngritjen e filarmonisë së shtetit, ku mes rreshtave thuhet se “Filarmonija Shqiptare” do të përmbledhë: Korin e Shtetit, orkestrën nacionale, baletin e shtetit, artistët lirik, këngëtorët popullor, sazet popullore, të cilat deri tani janë të atashuara Theatrit Popullor”, si dhe disa fotografi të ruajtura në fototekën e AQSH-së të disa shfaqeve të ndryshme të luajtura në skenën e TKOB. / KultPlus.com

Të ngjajshme