18 Maj, 2018 - 3:56 pm
Qendra “Multimedia” ishte nikoqire e një radio drame tashmë me nam. “Në fushën e Kosovës”, është shkruar nga Fin Kennedy dhe është krijuar nga këngët e PJ Harvey gjatë udhëtimit të saj në Kosovë. Mbrëmë në Prishtinë erdhi me regji të Kushtrim Koliqit.TamashaTheatre Company (UK) e INTENT New Theatre (KS-UK), të mbështetur nga Arts Council England dhe British Council, e sollën mbrëmë pranë publikut prishtinas, versionin shqip të kësaj drame që tashmë numëron edhe çmime.
Gili Hoxhaj
Mary Martin, drejtoreshë ekzekutive e Intent New Theatre, para se të filloj leximi skenik tregoi se kjo seri prej pesë episodesh është prodhuar dhe transmetuar në BBC Radio 4 dhe ka arritur mbi 2 milion dëgjues për çdo ditë. Para atyre që ishin në sallë, ajo tregoi për procesin e realizimit të kësaj radiodrame.
“ “Në fushën e Kosovës” është një tekst në pesë episode i ndarë në radiodramë i cili flet për dy njerëz që janë në kërkim të historisë dhe identitetit. Ideja ka filluar pikërisht këtu, dy vite më parë. Fin Kennedy që është shkrimtar nga Tamasha është kontaktuar nga BBC që të shkruaj për Kosovën dhe ata janë inspiruar prej PJ Harvey, i cili po ashtu ishte inspiruar prej Kosovës”, u shpreh Martin, e cila shtoi se Kennedy kishte ardhë në Kosovë për të hulumtuar për shkrimin e tij dhe ka mbajtur një punëtori interesante për radiodramë.
Drita ndriçonte zbehtë fytyrat e aktorëve Maylinda Kosumovic, Shkëlzen Veseli, Labinot Raci, Qëndresa Jashari, Shpëtim Selmani, Allmir Suhodolli. Ata herë ulur e herë në këmbë sollën në shqip dy episode të kësaj radiodrame, që brenda vetëm një dite ka kapur rreth 2 mijë dëgjues të BBC Radio.
Shpëtim Selmani qëndron gjatë gjithë kohës i ulur dhe lexon çdo detaj të veprimeve të personazheve.Rebeka (Qëndresa Jashari) dhe Dardani (Allmir Suhodolli) janë në qendër të radiodramës. Dardani ka qenë vetëm 3 vjeçar e Rebeka vetëm 5 vjeçare në kohën kur u dërguan në Mançester si të mitur të pashoqëruar gjatë konfliktit në 1999. Në kërkim të trashëgimisë së humbur, të rritur pa familje, ata kthehen pas shumë vitesh në një udhëtim në Kosovë. Dardani donte fort që të vinte e të mësonte për të kaluarën e familjes së tij, e Rebeka thirrej në atë që kishte ardhur vetëm për ta shoqëruar të vëllain. Në Prishtinë do të qëndrojnë në tri bare vetëm në natën e parë të ardhjes, në shoqërim të tyre janë Rroni (Labinot Raci) dikur aktivist që i kishte hedh ngjyrë të kuqe rektorit teksa ai fliste në podium e sot një gazetar që kërkonte vetëm stabilitet dhe Venera (Maylinda Kasumovic), e cila edhe pse në muajin e fundit të shtatzënisë, nuk ndalet se kundërshtuari këtë sistem, ajo nuk e kursen veten as nga protesta. Ajo në çdo fjalë nxirrte zërin e saj protestues kundër komandantëve që sot janë shndërruar në njerëz “të paprekshëm” e të korruptuar. Biseda me këta të dy, bën që ata të njihen me situatën aktuale në këtë vend derisa bredhin rreth Prishtinës, pranë ndërtesës së qeverisë e kishës ortodokse që qëndron pa dritare, e pa shfrytëzuar.
Dardani dhe Rebeka kanë vetëm një fotografi, por kanë shpresa që do të gjejnë gjurmët e familjes. Arsyeja përse ata janë kthyer është sepse një varrezë masive është gjetur pranë fshatit të tyre të vjetër dhe ata duhet të japin një mostër të ADN-së për të parë nëse diçka nga mbetjet u përkasin prindërve. Ata takojnë xhaxhain e Rronit, Luanin (Shkëlzen Veseli), sot një nëpunës civil e dikur ushtar i UCK-së. Mes pijesh, e bisedash ai mbron ushtarët e UCK-së e thotë se “lufta i ndryshoi ata”, përpiqet t’u tregoi historinë e Kosovës, e thotë se me këtë histori më së miri mund të njoftohen nëse shkojnë në memorialin e Jasharëve. Rebeka e cila ishe 5 vjeçare kur ka ikur, kujtimet shpejt i përfytyrojnë të kaluarën. Edhe tek ajo ngjallen shkëndijat e urrejtjes. E vetmja gjë që kërkon që të ik nga këto kujtime, është kërkesa që të largohet nga ky vend.
Pas leximit skenik të aktorëve, të pranishmit shijuan episodin e tretë të kësaj radio drame, mirëpo jo përmes leximit skenik por përmes dëgjimit në versionin origjinal të saj. Publiku ishte gati se në errësirë, e vëmendja ishte e fokusuar tek zërat e zhurma që dëgjohej. Ky version të jepte ndjesinë e të qenit në vendin ku po zhvillohej radio drama, një mundësi që publiku vet ta vizualizoj gjithë ngjarjen. Në këtë episod Dardani e Rebeka janë udhës për tek përmendoret e Jasharave, ku ndalen në muzeun afër tyre. Dardani ngrit pyetje e dilema, të cilat do ta nevrikosin kuratorin e muzeut. Gjatë kohës sa zëri i tij shpjegon historinë e Jasharajve, ndeshen me gjërat e tyre personale e lodrat e fëmijëve tëJasharajve. Gjatë dëgjimit të kësaj pjese jo dhe pak nga publiku do t’u rrëshqasin lotët.
Pas kësaj, rruga e tyre vazhdon për tek Malet e Sharrit, në fshatin e tyre të vjetër. Në rrugë hasin banorë, shkrepin fotografi e dëgjojnë këngët e tyre në rrugë. I pyesin për Bukurijen, të vetmit emër që e njohin dhe që duhet ta gjejnë. Bukurija ka ruajtur një zingjir çelësash të shtëpisë së vjetër, e u mëson që prindërit ishin nga qyteti i ndarë i Mitrovicës e jo nga fshati. “Çdo çelës ka një histori”, u drejtohet Bukurija atyre, derisa nisen për në shtëpinë e vjetër të fshatit.
Debo Adebayo, producent i Fin Kennedymori mori fjalën menjëherë pas përfundimit të radiodramës ndërsa tha se shpreson që do të gjejnë bashkëpunim mes artistëve, kompani e kompozitorë të ndryshëm, në mënyrë që ta sjellin edhe versionin shqip të kësaj radiodrame në radiot e Kosoës. Ai po ashtu tha se synimet e tyre janë që ta sjellin një Festival të Radio dramës në Kosovë.
“Ajo çfarë ne dëshirojmë të bëjmë është të krijojmë një festival të radiodramave duke shpresuar që ato radiodrama do të jenë të inspiruara jo vetëm nga kjo çfarë ka bërë Fin Kennedy por edhe nga rrëfimet e kaluara dhe të tashme të Kosovës. Ideja e këtyre radiodramave është që të angazhohen autorë kosovar e aktorë kosovar që t’i prodhojnë këto radiodrama”, u shpreh Adebay
Regjisori Kushtrim Koliqi kishte qenë njëri nga të kontaktuarit e Kennedy, i cili është porositur nga BBC që ta bëj këtë radiodramë në Kosovë. Pas punës së tij hulumtuese, Kennedy ishte kthyer me draftin e parë. Më pas ai ishte konsultuar me Koliqin lidhur me përmbajtjen e tekstit, në mënyrë që konteksti i ngjarjes të jetë i qartë dhe i saktë.Koliqi i cili është njëri nga themeluesit e INTENT NewTheatre u shpreh se beson se Kosova ka market për radiodramat.
“Për ta prodhuar një radiodramë duhet shumë më shumë investim se sa gjërat që prodhojnë radiot, duhet më shumë angazhim dhe ne i dijmë mundësitë që i kanë radiot këtu. Ne jemi duke tentuar që të prodhojmë radiodrama edhe pse jemi ende në fillim, unë e kam bërë regjinë e këtij leximi skenik pasi e kam njohur këtë radiodramë dhe jemi munduar t’i sjellim edhe komunitetin e radiove që potencialisht do të mund të punojmë me ta”, tregoi Koliqi për KultPlus.
Radio drama “Në fushën e Kosovës” fitoi drama produksioni më të mirë në BBC RADIO & MUSIC AWARD 2018./ KultPlus.com