15 Prill, 2019 - 2:29 pm
Qendra Multimedia ka inicuar Platformën Kulturore të Kosovës 2019+, e cila mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SDC. Qëllimi i platformës është forcimi i zhvillimit kulturor lokal në Kosovë, si shtytës i ndryshimit shoqëror dhe i zhvillimit ekonomik.
Platforma Kulturore e Kosovës 2019+ përfshinë prodhimin e shfaqjeve të reja dhe turneun e tyre në Kosovë, në rajon dhe në sferën ndërkombëtare; promovimin e skenës teatrore vendore përmes ‘Kosovo Theatre Showcase 2019’; mbështetjen e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë – polip, si dhe mbështetjen artistike dhe infrastrukturore për industrinë e teatrit në Kosovë. Një pjesë kyçe e këtij projekti do të jetë turneu i 5 shfaqjeve të prodhuara nga Qendra Multimedia, të cilat kanë tërhequr më së shumti vëmendjen e publikut dhe janë vlerësuar ndërkombëtarisht. Shfaqjet kan tema të ndryshme, duke filluar nga shkelja e të drejtave të punëtorëve, të drejtat e komunitetit LGBTI, korrupsioni në sektorin e shëndetësisë, emigracioni etj.
Një tjetër komponent i rëndësishëm i programit është mbështetja e teatrove lokale, me fokus në teatrin e Gjilanit dhe të Ferizajt. Ato do të mbështeten përmes përmirësimit të aftësive teknike dhe kreative të stafit teatror, si dhe promovimit të shfaqjeve të prodhuara. Përmes partnerëve tanë ndërkombëtarë, programi do të ftojë ekspert të ndryshëm, për të trajnuar dhe avancuar stafin kreativ dhe teknik në këto teatro lokale, duke përmirësuar kështu aftësitë e përgjithshme teknike të ekipeve prodhuese, dhe në këtë mënyrë cilësinë e përgjithshme të shfaqjeve.
Më pas, shfaqjet nga teatrot lokale si dhe shfaqjet nga Qendra Multimedia do të promovohet në nivel lokal në festivalin polip dhe në Kosovo Theatre Showcase 2019, me mundësi të shumta për promovim dhe rrjetëzim ndërkombëtar. Mbështetja e drejtpërdrejtë për teatrot lokale në ngritjen e kapaciteteve dhe promovimin do të sigurojë një stabilitet rritjen e kësaj pjese të industrisë krijuese në Kosovë./KultPlus.com